Me anë të një deklarate për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar se 100 mijë teste të shpejta kanë mbërritur në Shqipëri.
Ekspertja, Silva Bino, ka sqaruar udhëzimin për kryerjen e testit të shpejtë. Në prezantimin e bërë sot bashkë me Ministren e Shëndetësisë. Bino sqaroi qytetarët se testi i shpejtë duhet të bëhet brenda 5 ditësh që nga shfaqja e simptomave, në të kundërt, kur kanë kaluar 5 ditë, testi që duhet kryer është ai i PCR. Në rast se testi “Rapid”, del pozitiv, ajo tha se duhet marrë si 100% i saktë.
“Testi i antigenit kryhet në 5 ditët e para të simptomave. Ky është një informacion që duhet të dihet. Nëse është pozitiv, ai është vërtetë pozitiv, mat ngarkesën virale. Përgjigja del për 30 minuta. Kjo është lehtësi e madhe sepse i jep direkt përgjigjen personit dhe lehtëson gjurmimin. Ky test do të na ndihmojë të plotësojmë disa elementë të punës sonë në terren. Po kryhen disa trajnime. Është test i njohur nga OBSH dhe i aprovuar nga FDA, pra është test që plotëson të gjitha cilësitë e saj.“-tha ajo.