Braziliani Nejmar e ka ëndërr të rikthehet dhe një herë të luajë me Lionel Mesin. E ka shprehur shpesh këtë, por e përsëriti sërish dy ditë më parë, madje këtë herë me një ton entuziast, duke paralajmëruar se edicionin tjetër shanset janë të mëdha që ai dhe Mesi të luanin bashkë në një ekip. Ndoshta kjo mund të ndikohet edhe nga qëndrimet që ka mbajtur Mesi, për një largim në fund të sezonit nga Barcelona. Në fakt, e thënë më thjeshtë, Nejmar nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për t’u rikthyer te Barcelona dhe pas një periudhe në heshtje te Paris San Zhermen, ka dalë sërish hapur mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Mançester Junajtid. Ylli Brazilian deklaroi për mediat se dëshiron të luajë sërish me Lionel Mesin në të njëjtën skuadër dhe se duhet ta bëjë këtë duke nisur nga sezoni i ardhshëm, duke i hapur rrugë një tjetër operacioni të bujshëm merkatoje. “Ajo që dua më shumë, është të luaj sërish me Mesin. Dua të luaj me të dhe nëse ai do, i lë edhe rolin tim, pasi nuk është aspak problem. Sezonin tjetër duhet të luajmë se bashku sërish, patjetër”, deklaroi braziliani. Nejmar la Barcelonën në verën e 2017-ës për t’u transferuar te Paris Saint Germain, pasi këta të fundit paguan klauzolën prej 250 milionë eurosh, për prishjen e kontratës së brazilianit me klubin katalanas. Në janar te Barcelona do të mbahen zgjedhjet për president dhe kandidatët kanë si premtim rikthimin e Nejmar, që do të shërbente jo vetëm për të marrë votat e aksionarëve, por edhe për të bindur Mesin të vijojë të qëndrojë në “Camp Nou”. Me dorëheqjen e presidentit Josep Maria Bartomeu, Barcelona drejtohet përkohësisht nga Karlos Tuskets biznesmen dhe bankier i njohur në Spanjë. Së fundmi ai ka dhënë një intervistë për Rac 1, ku tregon se lojtarët nuk do marrin pagat dhe bonuset në janar si dhe në lidhje me Mesin ai dha një deklaratë të fortë. Sipas Tuskets në këtë krizë financiare Mesi do ishte më mirë të shitej, sesa të largohet me parametra zero, diçka që do të ndodhë në verën e vitit 2021. “Shkurtimi i pagës do të korrespondojë në 4-5% të buxhetit tonë në katër vitet e ardhshme. Në janar lojtarët nuk do të marrin pagën, ne e kemi shtyrë këtë shpenzim si dhe shpërblimet e lidhura me titujt e fituar nga ekipi. Duke vepruar kështu ne kemi shpërndarë 170 milion euro, që do paguhen në katër sezonet e ardhshme. Situata ekonomike e klubit mund të ishte menaxhuar më mirë. Në nivel financiar, për shembull, unë do ta shisja Mesin këtë verë. Ekonomikisht do të ishte një zgjidhje e dëshirueshme. La Liga po bën kufizime për pagat dhe shitja e Leos me siguri do të kishte ndihmuar”, u shpreh Tuskets. Mbetet të shihet nëse presidenti i ri që do të dalë nga zgjedhjet në klubin blaugrana do të këmbëngulë për të mbajtur Mesin në ekip, apo do të ketë transformim rrënjësor të Barcelonës, ku ndoshta Mesi nuk do të jetë fare në qendër të projektit, por përtëritje e thellë e grupit.









































