Me anë të një deklarate për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar se 100 mijë teste të shpejta kanë mbërritur në Shqipëri.
“Testimi do të nisë nga e hëna fillimisht në Tiranë. Kemi siguruar 100 mijë teste”-tha ajo.
Ministrja ka bërë një përmbledhje dhe të kapaciteteve spitalore, ku sipas saj në spitalet Covid ka 550 shtretër në dispozicion, ndërkohë që duke marrë parasysh dhe spitalet rajonale, numri i shtretërve të gatshëm për përballimim e pandemisë është 1600 shtretër.
“Nuk do të kemi muaj të lehtë në këtë përballje me Covid 19, puna jonë nuk ka ndalur në asnjë moment, për yë rritur kapacitetet spitalore. Për të gjithë stafet në frontin e parë ndaj Covid 19 janë mbështetur me bonusin prej 8 milionë eurosh, që iu është dedikuar kësaj mbështetje speciale.
Kemi siguruar dhe do ta bëjmë deri në fund sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale për të gjithë stafet tona. Kemi 1600 shtretër për përballimin e situatës Covid, shtuam kapacitetet në spitale për përballimin e pandemisë në afat të gjatë, për periudhën vjeshtë-dimër.
Në fillim kishte rreth 200 respiratorë dhe ventilatorë, sot kemi 483 të tillë së bashku me ato që janë në spitalet rajonale. Kemi siguruar prej momentit të parë dhe në vijim, terapinë e mjekimit, të njëjta me vendet e tjera, pa asnjë mungesë. Kemi garantuar falas medikamentet për personat që trajtohen në banesë”, u shpreh Manastirliu.