Liga e Kampioneve dhuroi jo pak emocione mbrëmjen e djeshme, duke siguruar edhe rezultate surprizë, por edhe ankth në grupet F dhe H. Në grupin H, ndeshja e parë e luajtur dje ishte ajo e Stambollit, midis Bashaksehirit dhe Leipzigut. Fituan gjermanët me përmbysje 4-3, duke shkuar në 9 pikë, por vendimtare për ta do të jetë dueli i fundit direkt me Mançester Junajtid. Ndërkohë, Paris San Zhermen luajti në transfertë me Junajtid, një duel për jetë a vdekje. Francezët shënuan shpejt me Nejmar, duke e kërkuar më shumë fitoren. Por anglezët barazuan brenda pjesës së parë me anë të Rashford. Megjithatë, në pjesën e dytë anglezët mbetën me 10 lojtarë pas daljes me kartonin e dytë të verdhë të Fred dhe francezët realizuan në minutat e fundit dy gola, një me anë të Markinjos e tjetrin me anë të Nejmar, që ishte ylli i ndeshjes. Me këto rezultate, të gjithë pretendentët kanë nga 9 pikë, por PSG pret xhiron e fundit turqit e Bashaksehir, duke pasur më shumë shanse, kurse Junajtid e Leipzig do të duelojnë për vendin e dytë, pasi njëra prej tyre me shumë gjasë do të digjet. Në grupin E nuk ka pasur dilema për vendet e para që nga java e kaluar. Kështu, Çelsi dhe Sevilja e kishin siguruar kalimin e grupit, por dueli mes tyre mbrëmë ishte për kreun e renditjes. Ishte një mbrëmje magjike e Oliver Zhirud që shënoi 4 gola për anglezët, duke i siguruar Çelsit kreun e renditjes. Po në këtë grup, Krasnodari rus mori një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Renes, për vendin e tretë, pozicion që siguron kalimin në Europa League. Në grupin F, ishte një tjetër duel për kreun, pasi Dortmundi i vendit të parë përplasej me Lacion e vendit të dytë. Gjermanët udhëhoqën deri në fund 1-0, por italianët barazuan me penallti me anë të Imobiles. Ndërkohë, po në këtë grup, Klub Bruzhi i Belgjikës u përball me rusët e njohur të Zenitit, duke fituar 3-0. Me këto rezultate, Dortmundi është i kualifikuar, kurse Lacio e Klub Bruzh kanë duel kokë më kokë për vendin e dytë në xhiron e fundit. Në grupin G nuk pati surpriza, pasi Barcelona dhe Juventusi bënë diferencë ndaj kundërshtarëve të tyre, respektivisht Ferencvaroshit dh Dinamos së Kievit. Barça fitoi me shifrat e thella 3-0 e me të njëjtin rezultat fitoi edhe “Zonja” italiane.







































