Kisha e “Shën Mitrit”, përfundon procesi i gjatë i ndërhyrjeve restauruese

0
427

Në lagjen Kala të Beratit ka përfunduar restaurimi i kishës së “Shën Mitrit”. Një objekt i lënë prej vitesh në harresë, që sipas ministres së Kulturës Elva Margariti përfundoi së fundmi procesi i restaurimit. “Kisha e “Shën Mitrit”, në lagjen Kala, një tjetër monument kulture i shpëtuar. Sapo u përmbyll një proces i gjatë e jo i lehtë ndërhyrjesh restauruese. Pas dekadash harrese, specialistët e DRTK Berat, kanë kryer një sërë punimesh, që i sigurojnë jetëgjatësinë këtij monumenti. Nëse kaloni në Lagjen Kala, mos u largoni pa vizituar kishën e “Shën Mitrit”!”, shkruan në një status të saj ministrja e Kulturës. Kisha e “Shën Mitrit” ndodhet në pjesën lindore të kalasë, midis shtëpive të banuara, dhe futet në tipin e kapelave të thjeshta pasbizantine. Pjesa e naosit në qendër më përpara qarkohej nga një hajat i vogël në krahun verior, perëndimor dhe jugor, ndërtim që i përkiste një periudhe më të vonë ndërtimi se vetë kisha. Ambienti i kishës nga brenda është i shtruar me pllaka guri gëlqerori dhe shtufi të vendosur në mënyrë të çrregullt. Dikur naosi ndahej nga mjedisi altarit nëpërmjet një ikonostasi druri. Altari përbëhet nga absida gjysëm rrethore, që nuk shkon deri në tokë me dy kamare katrore (nike) anash saj. Ndriçimi i sallës realizohet nëpërmjet një frigjie të vogël në murin e absidës dhe nga një baxha e hapur në çati. Hyrja për në sallën qendrore realizohet nëpërmjet dy dyerve, një në anën jugore dhe tjetra në anën perëndimore, kjo e fundit është ende një derë me dru origjinal nga faza e parë e ndërtimit. Brendësia e naosit mbulohet në një pjesë të tij nga afreskë me motive biblike me skena me përmasa të vogla, që i përshtatet dimensioneve të kishës. Gjithashtu me afresk është veshur edhe pjesa e jashtme e ambientit perëndimor. Mbi hyrjen jugore nga brenda ruhet ende mbishkrimi, i cili daton ndërtimin e afreskut në vitin 1607. Të gjitha muret janë ndërtuar me gurë gëlqeror të lidhur me llaç balte. Nga një datim i mbetur në kontrafortin e mëvonshëm të ngritur në pjesën jugore mësojmë se kisha është meremetuar në vitin 1774. Lagja Kala në Berat ndodhet në pikën më të lartë të qendrës historike dhe është nga të paktat monumente të periudhës mesjetare në Shqipëri, që vazhdon edhe sot të ketë një jetë intensive brenda mureve të saj rrethues. Pamjen e sotme arkitektonike dhe urbanistike, ashtu si edhe dy lagjet e tjera, kalaja e mori gjatë shekujve XVIII-XIX.  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here