Ligji organik për Presidentin e Republikës rrezikon të mos votohet këtë viti. Në fillim të muajit shtator Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ngriti grupin e punës që u mor me hartimin e projektligjit “Për Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë”. U tha nga anteri i grupit të punës, deputeti socialist, Adnor Shameti se palët kanë gjetur dakordësi që ai t’i nënshtrohet procedurave parlamentare. Por edhe pse kanë kaluar më shumë se tre javë nga zbardhja e këtij ligji, Kuvendi dhe komisionet parlamentare nuk e kanë parashikuar ende futjen e draftit për diskutim. Dy ditë më parë u mblodh Konferenca e Kryetarëve, ku shqyrtoi dhe miratoi programin e punës për periudhën 30 nëntor-25 dhjetor 2020 dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 nëntor- 18 dhjetor 2020. Ndërkohë që bie në sy fakti që ligji organik për presidentin nuk është futur në kalanderin e punimeve të Kuvendit, duke shtyrë ata me shumë gjasa për vitin tjetër.
Deputetët dalin kundër dhe kërkojnë miratim
Por sinjali se mazhoranca socialiste duket se nuk do të nxitojë për të shqyrtuar në Parlament ligjin për ndryshimin e kompetencave të presidentit, duke e lënë të qetë Ilir Metën edhe këtë vit, ka shkaktuar debate brenda Partisë Socialiste. Gazeta ka mësuar se ka pasur debate të forta brenda grupit parlamentar të PS, të cilët janë habitur që nuk është depozituar ende në Kuvend draftin që parashikon kufizimin e kompetencave kushtetuese të kreut të shtetit. Madje, sikundër theksuan burimet ata kanë kërkuar që të mos ketë zvarritje për izolimin e Metës. Ndërkohë gazeta kontaktoi disa nga deputetët e Partisë Socialiste, të cilët dolën kundër shtyrjes së ligjit për vitin tjetër dhe kërkojnë miratim me urgjencë. “Patjetër që ligji organik për presidentin e Republikës duhet të kalojë sa më parë në Kuvend. Ilir Meta po sillet si kryetar i opozitës dhe ka dalë nga pozicioni që ka, kështu që duhet izoluar me ligj”, u shpreh deputetja socialiste, Artemis Malo për gazetën “SOT”. Nga ana tjetër në të njëjtën linjë me zonjën Malo është rreshtuar edhe deputeti socialist, Bujar Çela i cili gjatë një prononcimi të shkurtër për gazetën “SOT”, theksoi se ka ardhur koha që presidentit Ilir Meta t’i tregohet vendi dhe se miratimi i ligjit organik është domosdoshmëri. “Ligji organik për Presidentin e Republikës është i domosdoshëm dhe duhet të miratohet sa më parë. Nuk duhet të ketë asnjë amnisti dhe tolerancë për Metën, që ka marrë flamurin e opozitë dhe po bën politikë të ndyrë”, deklaroi deputeti socialist, Bujar Çela. Ndërkohë, edhe deputetja e PS, Antoneta Dhima deklaroi dje gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” se PS nuk tërhiqet nga izolimi i Metës. “Komisioni i Ligjeve është duke punuar për ndryshimet në ligjin organik për presidentin dhe kur të vij për miratim në seancë plenare patjetër që do ta miratoj. Përgjigjen e kërcënimeve që presidenti po i bën mazhorancës do ta marrë në 25 prill”, deklaroi Dhima. Pra, të gjitha këto tregojnë se Partisë Socialiste i ka mbetur vetëm sesioni i ardhshëm parlamentar, i cili pritet të zgjasë rreth 2 muaj për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, për të kaluar ligjin organik për Presidentin e Republikës, nëse nuk e depozitojnë qoftë edhe me procedurë të përshpejtuar draftin brenda këtij viti. Megjithatë, mbetët të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.








































