Komisioni i Venecias ka nisur ditën e djeshme diskutimet për ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor, i cili i hap rrugë heqjes së koalicioneve para zgjedhore dhe listave për deputet. Këto ndryshime kaluan me votat e shumicës socialiste dhe disa të opozitës parlamentare në 30 korrik mes shumë debateve, ndërkohë që presidenti Ilir Meta refuzoi t’i njihte, duke mos i dekretuar ato dhe iu drejtuar me një kërkesë Vencias për interpretim. Por pavarësisht kësaj dhe apelit të ndërkombëtarëve, opozitës dhe kreut të shtetit, që i kërkuan kryeministrit Edi Rama që të presë opinionin e Komisionit të Venecias, Partia Socialiste i rivotoi ato ndryshime në Kodin Zgjedhor, të cilat tashmë janë botuar edhe në Fletoren Zyrtare e madje kanë hyrë në fuqi.
Venecia nis diskutimet për heqjen e koalicioneve
Por gazeta ka mësuar se pas kërkesës së presidentit Meta, mbi kushtetutshmërinë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, përfaqësues të “Venecias” kanë nisur dje komunikimet me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe partive politike në Shqipëri, ku për shkak të pandemisë së COVID-19, komunikimi u zhvillua online. Sipas informacioneve, mësohet se mëngjesin e djeshëm ekspertët e Venecias kanë biseduar me përfaqësues të Presidencës, nga të cilët kanë marrë mendimet rreth ndryshimeve në kuadrin ligjor elektoral. Në këtë kontest, mësohet se përfaqësues të Presidencës kanë përsëritur qëndrimet e bëra publike, sipas të cilave ndryshimet e shpejta, të padialoguara dhe të padakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane. Nga ana tjetër, sipas burimeve mësohet se brenda kësaj jave ekspertët e Venecias do të kenë komunikime virtuale dhe me Damian Gjiknurin nga socialistët si dhe me përfaqësuesit e opozitës parlamentare dhe asaj jashtë parlamentare, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe shoqërinë civile, nga të cilët do të dëgjojnë mendimet mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë, mësohet se pas komunikimeve online, Komisioni i Venecias do të mblidhet në sesion plenar në datat 11 dhe 12 dhjetor, nga ku pritet opinioni për debatin e fortë politik në Shqipëri mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Për PS Kodi Zgjedhor kapitull i mbyllur
Mirëpo pavarësisht futjes në lojë të Komisionit të Vencias, për Partinë Socialiste Kodi Zgjedhor është tashmë një kapitull i mbyllur. Burime nga mazhoranca i pohuan gazetës se PS do t’i drejtohet kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 me Kodin e ri Zgjedhor, i cili tanimë është botuar edhe në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi prej disa ditësh. Pra, duket qartë që opinioni i Venecias më shumë ka për të kënaqur opozitën dhe presidentin Ilir Meta, që kanë kërkuar interpretime për ndryshimet kushtetuese, pasi për PS ai tashmë është një kapitull i mbyllur. Madje, një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe vetë kryeministri Edi Rama pak ditë më parë, i cili teksa i është përgjigjur komisionerit Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi lidhur me kërkesën e tij se Kuvendi duhet të presë përgjigjen e Komisionit të Venecias për Kodin Zgjedhor, u shpreh prerë se mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por procedura në këtë rast sipas tij është e qartë dhe sipas tij, qytetarët shqiptarë do të votojnë me Kodin e ri Zgjedhor. “Opinioni i Venecias mirë se të vijë kur të vijë, por koha për këto zgjedhje s’pret asnjë ditë jashtë procedurave”, deklaroi Rama.


































