Shefja e ISHP-së Albana Fico ka lajmëruar sot masat e reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19 në vendin tonë.
Kështu, do të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona, në ambiente të hapura dhe të mbyllura, tubimet, konferencat, martesat e ceremonitë mortore, deri në një urdhër të dytë.
Fico u pyet nga gazetarët nëse do të ndalohet dhe grumbullimi i fëmijëve në klasa pasi ato kanë më shumë se 15 nxënës, shefja e ISHP tha se nëse numrat ndryshojnë, edhe ata do të marrin vednimin e duhur.
“Në vlerësimin që ne i kemi bërë situatës në shkolla, ne kemi vlerësuar që nga hapja e shkollës e deri më sot që janë 8 javë, me një incidencë deri në 2%, me të gjitha mekanizmat për të zëvendësuar menjëherë mësuesit, për të ndërmarrë higjenizimin e menjëhershëm të shkollës. Ne më pas kemi vijuar me hapjen e shkollës. Nuk ka qenë vendimmarrje e lehtë. Por njohuritë dhe shkollimi, karakteristikat epidemiologjike të grupeve si janë fëmijët na e kane lejuar këtë.
Sot që flasim jemi në këto terma, situata është dinamike. Për sa kohë jemi në këtë situatë do vazhdojmë të monitorojmë. Nëse do duhet dhe numrat ndryshojnë ne do të marrim vendimin e duhur në momentin e duhur”, u shpreh Albana Fico, shefe e ISHP.








































