Epidemiologu Ilir Alimehmeti dhe mjeku Arjan Mezini theksojnë se një pjesë e madje e rasteve me COVID-19 vijnë si rezultat i infektimeve familjare.
“Është parë që si Shqipëri e tërë jemi në transmetim me grupe, Tirana është qartësisht transmetim komunitar. Përpara shkollave ka grumbullime, kur kalojmë para një gjimnazi jashtë mund të jenë 200 vetë duke ndenjur bashkë. Distanca dhe evitimi i grumbullimeve është absolutisht kyçe. Çdo gjë tjetër vjen në rend të dytë apo të tretë, sepse ajo që vëmë re janë pothuajse gjysma e rasteve janë infektime familjare.
Ndërkohë që jashtë shikojmë situata nga më të ndryshme, grumbullime të panevojshme, situata si përdorimi i autobusit pa maskë, ka gjithashtu vende punë të cilat janë të papërshtattshme për këtë situatë.”, tha epidemiologu Alimehmeti.
Më tej, pneumologu Mezini apeloi qytetarët të tregojnë kujdes me antibiotikët, duke këshilluar mospërdorimin e tyre në kushte shtëpie.
“Doja t’ju bëja thirrje qytetarëve se kjo është një virozë dhe si çdo virozë duhet të kuptojmë se nuk ka mjekim. Doja të bëja thirrje që antibiotikë të mos përdorin sepse nuk ka asnjë lloj ndikimi. Kjo nuk është temperaturë bakteriale por virale dhe antibiotiku nuk ka asnjë lloj efekti.
Duhet të përdoret vetëm në spital, në bazë të një ekzaminimi që bëhet çdo ditë që vë në pak riskun për të kaluar në një infeksion bakterial. Në kushte shtëpie nuk duhet të përdoret.“, tha Mezini.
































