Gjimshiti i vetmi që kaloi “klasën” tek Atalanta në Champions/ Reja e ka projektuar si kapiten në Kombëtare

0
304

Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po përpiqen të shndërrohen në protagonistë me skuadrat e tyre dhe ecuria e shumicës së lojtarëve kuqezi ka qenë e mirë, duke dëshmuar për një rritje cilësore të performancës së tyre. Ka futbollistë që kanë ecur mjaft mirë, sidomos të rinjtë, ku kanë spikatur Marash Kumbulla e Armando Broja, por cilësi kanë shfaqur edhe disa veteranë si portieri Berisha, mesfushori Abrashi, apo dhe Lenjani. Natyrisht, pritet më shumë nga futbollistë si Sadiku, Cikalleshi, Bare, Manaj e ndonjë tjetër, veçmas portieri Strakosha që po vuan një dëmtim tek Lacio, që ende nuk kanë dalë në kapacitetin e tyre maksimal. Por ndërsa këta futbollistë kanë problemet e tyre, një nga kuqezinjtë më në formë është Berat Gjimshiti, i cili prej dy sezonesh është shndërruar në lider tek Atalanta, duke luajtur në nivele të larta në Serinë A si dhe në kombëtaren kuqezi. Padyshim që aktivizimi i tij në Champions është një pikë kulmore e karrierës së tij dhe shqiptari, edhe pse humbi me Atalantën e tij përballë Liverpulit, ka dëshmuar progres cilësor të formës.

Mediat sportive e vlerësojnë pozitivisht Gjimshitin

Ndërsa Elseid Hysaj ka probleme me paraqitjen e tij tek Napoli, për shkak se nuk është një titullar fiks, duke luajtur disa ndeshje e duke qëndruar në stol në disa të tjera, për Berat Gjimshitin mund të thuhet se ka fituar respektin e trajnerit të Atalantës, Gasperini, i cili i beson shqiptarit aktivizimin në ndeshjet më të rëndësishme të skuadrës së tij, madje në role thelbësore dhe kosovari i Kombëtares Shqiptare të Futbollit e ka përballuar mjaft mirë këtë nivel prezantimi. Atalanta nuk ka mundur në mbrëmjen e djeshme të përballojë Liverpulin. Të kuqtë ishin një “furi” në fushë dhe në fund të 90-minutave ia kishin dalë të realizonin pesë gola në fushën e bergamaskëve, duke i “ulur me këmbë në tokë”, këta të fundit teksa në Europë duhet edhe më shumë eksperiencë për të përballuar të tillë kundërshtarë. Në notat pas ndeshjes nga ana e “Eurosport”, nuk kishte shumë histori për lojtarët e Atalantës, megjithatë ai që shpëton ishte Berat Gjimshiti. Mbrojtësi i kombëtares është vlerësuar me notën 5.5. “Luan një pjesë të parë të mirë dhe në fakt Salah nuk ia del të duket shumë. Pjesa e dytë është një histori tjetër, edhe pse mbetet më i miri nga shokët e tij në repartin difensiv”, ishin fjalët e “Eurosport” që përshkruanin ndeshjen e mbrojtësit.

Shiriti i kapitenit

Gjimshiti është shndërruar në një nga pikat e forta të prapavijës edhe në Kombëtare. Trajneri Edi Reja e ka atë zgjedhje të parë në skemat e tij dhe është fakt që mbrojtësi kosovar është aktivizuar në shumicën e ndeshjeve gjatë këtij edicioni, duke dhënë garanci në prapavijë. Madje Gjimshiti nuk ka lëvizur nga pozitat e tij në qendër të repartit difensiv, duke zëvendësuar me sukses Mërgim Mavrajn e Lorik Canën. Me Ismajlin dhe Dermakun funksionon shumë mirë, por edhe me Hysajn dhe Veselin në krah luan mirë. Me pak fjalë ai është një nga shtyllat e skuadrës në prapavijë dhe duke parë numrin e ndeshjeve që po shtohen, shiriti i kapi9teni është gati për të. Sidomos kjo u bë e diskutueshme kur mungonte shkodrani Hysaj. Nëse ky i fundit do të mungojë në ndonjë moment apo nuk do të jetë pjesë e formacionit titullar, atëherë Gjimshiti ka gjasa që të marrë shiritin e kapitenit. Kjo bëhet më e besueshme që Berisha, portieri kuqezi, nuk është më zgjedhje e parë krahasuare me Strakoshën i cili luan me Lacion në Serie A, kurse Berisha me Spalin në Serie B. Në këto rrethana, pak nga pak Berat Gjimshiti po shndërrohet në lojtarin kryesor e më me eksperiencë në grup, duke pasur shanse reale për të fituar shiritin e kapitenit në kualifikueset e ardhshme të Kupës së Botës Katar-2022.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here