Gazetari Milaim Zeka paralajmëroi mëngjesin e sotëm se Gjykata Speciale do të bëjë disa arrestime ditën e sotme në gjithë territorin e Kosovës.
Zeka tha për emisionin ‘ABC e Mëngjesit’ se sipas informacioneve të brendshme, politikani Jakup Krasniqi do të arrestohet.
“Për momentin Krasniqi nuk lejohet të komunikojë me anëtarë të tjerë të familjes. Bastisja në shtëpinë e tij është thjesht një formalitet. Gjasat janë që sot do të ketë arrestime në territorit të Kosovës. Sot në 11 –shen e të akuzuarve për të cilën kemi biseduar , ku janë përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, janë edhe Azem Syla, është një pjesëtar i familjes Jashari nga Prekazi Sahit Jashari, i njohur në Kosovë për luftën e tij.
Në listë janë Sulejman Selimi, ish-kryeministri Agim Ceku. Këta janë të gjithë personalitete të larta. Gabimi fatal është bërë nga krerët politik të Kosovës me formimin e Gjykatës Speciale. Kam qene dakord të krijohet një Gjykatë për njerëzit që kanë bërë krime, por për ato ndaj civilëve. Për fatin e keq ashtu siç bëhen politikat tek ne, u bllokua Gjykata Speciale dhe po shihet që në fokus janë vetëm krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Zeka.
Gazetarja e Linda Karadaku tha se po kërkohet që struktura e UÇK të trajtohet si një organizatë kriminale.
“Që të kishte një aktivitet kriminal me një strukturë komanduese, kjo shkon përtej imagjinatës. Sot në Prishtinë po realizohen disa operacione dhe ne nuk e dimë se sa do të jenë të tjerë. Problemi më shumë në këtë rast është politik. Nuk kemi pasur një rast që Gjykata të ketë qenë mono-etnike dhe një Gjykatë mono-etnike nuk është e ndershme në parim”, tha Karadaku.








































