Google search engine
Home Bota Arrestohen dy të rinj në Zvicër, dyshohet se kanë lidhje me sulmin...

Arrestohen dy të rinj në Zvicër, dyshohet se kanë lidhje me sulmin në Vjenë

0
362

Dy persona janë arrestuar në Zvicër pasi dyshohet se kanë lidhje të mundshme me të dyshuarin kryesor për sulmin vdekjeprurës në Vjenë.

Ata janë 18 dhe 24 vjeç dhe janë arrestuar në Winterthur rreth 10 kilometra nga Cyrihu, janë shtetas zviceranë, tha policia në një deklaratë, raporton Reuters.

Ministrja zvicerane e Drejtësisë, Karin Keller-Sutter, tha se burrat ishin “padyshim miq” me sulmuesin e vrarë nga forcat austriake – Kujtim Fejzullain, 20-vjeçarin me shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Keller-Sutter shtoi se ata ishin takuar personalisht me Fejzullain, mirëpo nuk e bëri të ditur kohën se kur ka ndodhur takimi.

“Lidhja midis dy personave të arrestuar dhe vrasësit të dyshuar aktualisht është subjekt i hetimeve të vazhdueshme që po kryhen nga autoritetet përgjegjëse”, tha policia e Cyrihut.

Deri më tani, të paktën 14 persona janë arrestuar në Austri gjatë bastisjeve në 18 prona pas sulmit vdekjeprurës në qendër të Vjenës të hënën në mbrëmje.

Policia austriake ka kryer një seri bastisjesh dhe ka bërë 14 arrestime.

Fejzullai, i përshkruar si një terrorist islamik 20-vjeçar, i cili ishte liruar nga burgu dhjetorin e kaluar, u qëllua për vdekje nga policia ndërsa gjuajti ndaj kalimtarëve.

Siguria ka qenë e rreptë në kryeqytetin austriak ndërsa policia nisi një ndjekje për ndonjë sulmues të mëtejshëm.

Por, autoritetet tani besojnë se personi i armatosur mund të ketë vepruar i vetëm.

Kancelari austriak Sebastian Kurz tha se të katërt që vdiqën ishin një grua e moshuar, një burrë i moshuar, një djalë i ri dhe një kameriere. Edhe 22 persona u plagosën.

Një nga gratë që vdiq ishte gjermane, tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë.

Grupi i Shtetit Islamik (IS) pretendoi në një video në kanalin e tij propagandistik në internet se ishte prapa sulmeve, pa dhënë asnjë provë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here