Google search engine
Home Aktualitet “Nëntor 23” me rreth 50 vepra, piktorët: Ekspozita ka vite që nuk...

“Nëntor 23” me rreth 50 vepra, piktorët: Ekspozita ka vite që nuk e shuan energjinë e saj

0
384

Ekspozita “Nëntor 23” u çel në Muzeun Historik Kombëtar, me punët në pikturë të 28 artistëve. Rreth 50 vepra të ndryshme janë prezantuar në këtë ekspozitë që është nga më jetëgjatat në vendin tonë, edhe pse problemet me të cilat përballen artistët nuk janë të pakta. Ky edicion vjen në një kohë të vështirë dhe për shkak të pandemisë, por sërish artistët e grupimit “Nëntori” nuk munguan me veprat e tyre në pikturë, ku punimet e reja prezantohen për herë të parë për publikun në sallën e ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar. Piktorët Ksenofon Dilo, Besim Tula, Adrian Devolli, Gazmend Leka, Kujtim Buza, Aleksandër Filipi, Zef Shoshi, Buron Kaceli, Stefan Taçi, Ardit Boriçi, Meri File, etj, janë me punët e tyre në “Nëntor 23”. Ekspozita këtë vit shënon edicionin e saj të 23 në Tiranë, ku prej më shumë se dy dekadash ka sjellë për publikun vepra, që kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Pjesëmarrës në këtë ekspozitë piktori i njohur Gazmend Leka shprehet se “Nëntori” tregon një lloj vitaliteti me artistët pjesëmarrës. ““Nëntori” ka grumbulluar 28 artistë dhe tregon një lloj vitaliteti, që dhe në momente të vështira në jetën e përditshme që kanë njerëzit, artistët nuk e humbin toruan e tyre por vazhdojnë hapin e zakonshëm. Ekspozita “Nëntor” ka një esencë të saj që nuk dorëzohet dhe kjo është një gjë e rëndësishme, sepse në Shqipëri unë shpeshherë shoh ndërmarrje të mëdha që bëjnë njerëzit dhe që shuhen shpejt, por “Nëntor” ka vite e vite që nuk e shuan energjinë e vet”, pohon piktori Leka. Sipas tij, kjo është nga vlerat më të mëdha dhe kjo është falë piktorëve Besim Tula dhe Aleksandër Filipi, që janë organizatorë të ekspozitës. “Sot mund të duket si një gjë e thjeshtë, por nesër këto do të marrin kuptimin kur historianë e artit do të fillojnë të kuptojnë, që dhe në momente shumë të vështira artistët shqiptarë nuk janë dorëzuar. Dhe kur themi nuk janë dorëzuar artistët, dua të them që megjithëse është një trishtim shumë i madh, ky trishtim nuk ka hyrë shumë thellë si lagështirë për ta kalbur zemrën krijuese të artistëve”, thotë piktori i njohur Gazmend Leka.

Pasioni për pikturën

 Në ekspozitën kolektive “Nëntori” 28 piktorët përmes kompozimeve trajtojnë ngjarjet e aktualitetit, temat të përditshme, marrëdhënien e njeriut me natyrën, etj. Këtë vit ky edicion ka si kurator piktorin Aleksandër Filipi, i cili shprehet se si për çdo profesion edhe piktorët në kushte pandemie kanë punuar këtë kohë. “Nuk mund të ndalësh përballë një pasioni siç është arti, pavarësisht çdo lloj vështirësie, qoftë kjo edhe pandemia. Deri sa është pasioni ne e realizuam si të gjithë të tjerët punën tonë, natyrisht që ka dhe privime sepse situata është e tillë. Por u morën masat për hapjen e ekspozitës, që do të qëndrojë 10 ditë te Muzeu Historik Kombëtar”, thotë kuratori Aleksandër Filipi. Piktorët që marrin pjesë në këtë ekspozitë janë nga Tirana, si dhe nga qytete të tjera. Kuratori i ekspozitës piktori i njohur Aleksandër Filipi shprehet se artistët pjesëmarrës janë prezantuar me 1 apo 2 punë. “Piktorët prezantohen me punë të reja, si rregull është që prezantohemi me 1 apo 2 vepra në pikturë. Kryesisht në gjininë e kompozimit edhe nëse është peizazh duhet të jetë i kompozuar. Një peisazh që sugjeron një gjë, një problem, një mendim”, thotë kuratori Filipi, i cili dhe vetë prezantohet në këtë ekspozitë me dy kompozime. Ekspozita “Nëntor 23” vjen në jetën artistike të Tiranës, si një nga veprimtaritë me rëndësi në fushën e artit pamor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here