Kupa e Shqipërisë ishte aktiviteti i parë futbollistik që nisi për këtë edicion, por me një ndryshim në format. Kjo pasi ndërprerja e gjatë prej bojkotit të Ligës Profesioniste ka sjellë ngjeshjen e kalendarit e për pasojë evitimin e ndeshjeve me vajtje ardhje në Kupë. Në këto rrethana, raundi i parë i Kupës së Shqipërisë u luajt me tek ndeshje dhe fituesit kalonin direkt në raundin e dytë. Nuk pati surpriza, pasi u kualifikuan skuadrat e mëdha, që janë njëherësh edhe favoritet për trofeun. Ekipe si Tirana, Partizani, Kukësi, Laçi e ndonjë tjetër, nuk e vunë në asnjë moment në diskutim kualifikimin, duke fituar thellë dhe bindshëm në lojë e rezultat përballë rivalëve të tyre. Gjithsesi, fitoren më të thellë e arriti një ekip i Kategorisë së Parë, Pogradeci, që i shënoi 9 gola skuadrës së Orikut dhe duke dëshmuar se ka pretendime për edicionin e ri në grupin B të së parës.
Ndeshjet në dy grupe
Në të vërtetë ka dominim të skuadrave të Superiores kundrejt atyre të Kategorisë së Parë e të dytë. Praktikisht diferencat janë të mëdha dhe këtë e vërtetuan edhe ndeshjet e djeshme, që ishin të parat për këtë sezon të ri futbollistik. Në Grupin A Tirana fitoi thellë 4-1 me Shkumbinin, Laçi 3-0 me Vorën, ndërsa Kastrioti mposhti 2-1 Burrelin. Eliminohet që në start Flamurtari, i cili u mposht 1-2 nga Dinamo. Avancon në raundin e dytë edhe Bylisi, që iu imponua 2-1 Veleçikut. Më poshtë të gjitha rezultatet e Grupit A. Në Grupin B, Kukësi i shënoi 5 gola Maliqit, me të njëjtin rezultat 5-0 Partizani fitoi me Ilirinë, Skënderbeut i mjaftoi një gol për të eliminuar Tomorin, ndërsa Vllaznia shpërtheu me 7 gola ndaj Devollit. Apolonia fitoi 4-1 me Turbinën, ndërsa rezultati më i thellë u arrit mes Pogradecit dhe Orikut, që u mbyll 9-1 për “liqenorët”. Lushnja – Besa u vendos në kohën shtesë.
Bërdariç: Vllaznia më pëlqeu, të vijojmë kështu
Shumë ekipe kanë pretendime për trofe në sezonin e ri, kurse pikëpyetje të mëdha ka në lidhje me Vllazninë, e cila ka gjetur sponsor, madje është duke marrë vëmendje nga bashkia që ka bërë disa lëvizje në drejtim të privatizimit të klubit, por cilësia e grupit dhe aftësia e saj për të arritur tek trofeu do të shihet javë pas jave. Pas ndeshjes me Devollin, ka folur për mediat edhe trajneri i Vllaznisë, Tomas Bradariç. “Kjo sfidë për Kupë, ishte fitore morali me një kualifikim për më tej në Kupë, ndërsa na shërben shumë për ndeshjen hapëse të kampionatit me Apoloninë, ku tashmë kemi përqendruar tërë forcat tona”, nënvizoi ai.






































