SPAK ka mbyllur dje hetimet për dosjen e grupit të strukturuar kriminal me personat e përfshirë, L. Haxhiu, O. Bylbyli dhe A. Kaloshi. Sipas burimeve, ky grup i strukturuar kriminal konkretisht akuzohet për disa krime si vrasje, plagosje, vjedhje, trafik droge si dhe janë autorë të masakrës së ndodhur në 11 shtator 2017 në Lushnje, ku humbën jetën personat J. Hoxha dhe S. Latifi. Gjithashtu sipas burimeve, ata akuzohen edhe për tentativën e vrasjes së nipit të Aldo Bares, Xh. Shkurtit. Të akuzuar për këtë seri veprimtarish kriminale, dje Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të tyre. Konkretisht, sipas dosjes hetimore, L. Haxhiu akuzohet për “Krijim i grupit të strukturuar kriminal” dhe për “Vrasje me paramendim për hakmarrje e mbetur në tentativë” ndaj Xh. Shkurti, që është edhe nipi i Aldo Bares, i cili njihen si një nga kapobandat e Lushnjes. Haxhiu, gjithashtu akuzohet për vrasjen e 2 personave, konkretisht të Z. Latifit, J. Hoxhës dhe për tentativën e vrasjes së M. Xhepaxhiu dhe B. Turkut, ngjarje e ndodhur në 11 shtator 2017. Ndërkohë, O. Bilbili akuzohet gjithashtu për tentativën e vrasjes së nipit të Aldo Bares dhe për pjesëmarrje në grup kriminal. Sipas dosjes, Bilbili akuzohet edhe për vrasjen e Z. Latifit dhe J. Hoxhës. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj të akuzuarit tjetër A. Kaloshit, i cili ka qenë pjesë e grupit kriminal të L. Haxhiut dhe O. Bilbilit. Kaloshi gjithashtu akuzohet për tentativën e vrasjes së Xh. Shkurtit, nipit të Aldo Bares dhe për pjesëmarrje në grup kriminal, në vijim të akuzave, Kaloshi akuzohet edhe për vrasjen e Z. Latifit dhe J. Hoxhës.
Dinamika e ngjarjes
Ngjarja e rëndë nga vrasja e dyfishtë e dy të rinjve J. Hoxha dhe Z. Latifi në tetor të 2017, ka tronditur jo vetëm qytetin e Lushnjës, por edhe mbarë opinionin publik. Grupi hetimor ka dalë në përfundimin se vrasja e dyfishtë e të rinjve në Lushnje, ka qenë e mirëmenduar nga dy atentatorët, L. Haxhiu dhe shoku i tij O. Bilbili. Sipas grupit të hetimit, L. Haxhiu fillimisht ka qëlluar në drejtim të tavolinës ku po qëndronin viktimat Latifi e Hoxha dhe i plagosuri Xhepaxhiu. Pasi i qëllon me breshëri automatiku dy të rinjtë, trupat e të cilëve u gjendën shumë pranë një automjeti tip “Fiat Punto” në pronësi të Xh. Shkurtit, Haxhiu futet brenda lokalit. Ky ka qenë momenti ku shumë dëshmitarë okularë, kanë dalluar autorin e dyshuar të kësaj masakre, si L. Haxhiu. Por ngjarja nuk përfundoi me kaq. 25-vjeçari, duke menduar se brenda lokalit gjenden pjesëtarët e tjerë të grupit, nxiton drejt tij. I dyshuari L. Haxhiu së bashku me mikun e tij O. Bilbili kanë hyrë brenda lokalit, mesa duket me qëllimin për të vrarë Xh. Shkurtin e S. Xhelilin. Në ato momente Z. Latifi, i cili kishte mbetur i plagosur ka qëlluar me pistoletë në drejtim të atentatorëve, por pa rezultat. Me të dalë nga lokali, si kundërpërgjigje, mbi trupin e Z. Latifit dy autorët derdhën 35 plumba pohojnë hetuesit. Dëshmitarët saktësojnë se ngjarja mund të kishte marrë të tjera përmasa nëse nuk do të kishin mbaruar plumbat e automatikut të 25-vjeçarit L. Haxhiu. Krimi makabër ndodhi shumë pranë Komisariatit të Policisë Lushnje. Duhet të theksojmë se plagosja e nipit të Aldo Bares në 2016 Xh. Shkurti, në një lokal në Lushnje dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të zhvilluar mes L. Haxhiut, ngjarje për të cilën ky i fundit është dënuar në mungesë me 18 vite burgim. Ndërsa, babai i L. Haxhiu, Q. Haxhiu gjatë një interviste për mediat tha se konflikti mes djalit të tij dhe nipit të Aldo Bares nisi për një ofendim, që sipas tij Xh.Shkurti i bëri djalit të tij L. Haxhiut. Sipas deklaratave të Q. Haxhiut, sherri nisi për makinën e L. Haxhiut, për të cilën Xh. Shkurti i kishte kërkuar llogari ku i kishte gjetur paratë për ta blerë.