I kujtojnë dopingun/Përjashtohet Elez Gjoza si kandidat për President të Federatës

0
356

Një nga sportet më cilësore në Shqipëri, peshëngritja, ka hyrë në ethet e zgjedhjes së organeve drejtuese, por zhvillimet e fundit në këtë komunitet e kanë kthyer shtangën dhe një herë në qendër të vëmendjes së opinionit publik sportiv mbarëkombëtar. Natyrisht, asgjë e jashtëzakonshme nuk do të kish ndodhur nëse në garë për president nuk do të kishte shpallur në mënyrë të paralajmëruar ish-presidenti i kësaj federate, Elez Gjoza. Debatet kanë qenë të zjarrta, aq sa shumë trajnerë e sportistë kishin ngritur dyshimet e tyre, qoftë dhe për skandalet e shumta të dopingut që pati nën drejtimin e federatës prej tij. Ndërsa dje, edhe zyrtarisht, u mësua se Gjoza u përjashtua nga gara për kreun e federatës. Dhe ai që e penalizoi ishte pikërisht dopingu. “Skualifikohet kandidatura e Gjozës për president dhe dy kandidatura për Këshill Drejtues”. Ky është lajmi që “pushtoi” ballinat e medieve sportive. Më 14 nëntor 2020, Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të mbajë Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore, nga ku pritet të dalë presidenti i ri dhe Komiteti i ri Drejtues. Komisioni i Seleksionit të Kandidaturave ka marrë në shqyrtim të gjithë emrat e paraqitur, ku, për postin e presidentit spikat, ndër të tjera, skualifikimi i ish-presidentit të kësaj federate, Elez Gjoza. Kështu, pas skadimit të afatit të dorëzimit të kandidaturave, që ishte 26 tetori 2020, Komisioni i Seleksionit të Kandidaturave ka marrë në shqyrtim të gjithë emrat e paraqitur, teksa për postin e presidentit kanë dorëzuar kandidaturat Eglantina Çuni, ish-presidenti Elez Gjoza dhe presidenti aktual, Theodhor Masllavica. Në përfundim të shqyrtimit, Komisioni miratoi kandidaturën e Çunit dhe të Masllavicës, duke vijuar të skualifikojë kandidaturën e Gjozës. Sipas arsyetimit të siguruar nga RTSH Sport, Komisioni ka konstatuar se Gjoza nuk është një kandidaturë në përputhje me kriteret statutore dhe, si e tillë, skualifikohet nga kandidimi. Në vijim të këtij arsyetimi, Komisioni i Seleksionimit ka parashtruar edhe faktin se, nga dokumentacioni i administruar, rezulton se ish-presidenti i dorëhequr nuk përmbush kriterin e parashikuar nga neni 12/5/d.

Për shkak të dopingut Shqipëria u përjashtua dy vjet nga KOKSH-i

Dopingu ishte kthyer në gangrenë të peshëngritjes për disa vite. Ishte dhe më përpara se të vinte Gjoza në krye të federatës, e vijoi dhe gjatë drejtimit të tij. dolën me doping shumica e sportistëve elitarë, përfshi dhe kampionen e madhe Romela Begaj. Rezultimi i një numri të madh sportistësh me doping gjatë periudhës së drejtimit të Federatës prej tij, që çoi në pezullimin 2-vjeçar të FSHP-së nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, e më pas në dorëheqjen e tij, kanë mjaftuar që ta cilësojnë Gjozën si të papërshtatshëm për të përmbushur kriterin statusor të figurës së pastër morale në fushën e sportit dhe, për rrjedhojë, ta skualifikojë atë. Ndërkaq, përsa u përket kandidaturave për anëtar të Këshillit Drejtues, janë paraqitur 11 të tilla, nga të cilat Komisioni i Seleksionit të Kandidaturave ka miratuar 9 prej tyre. E më konkretisht atë të Arben Qafës, Baftjar Abazajt, Erjon Kanxherit, Flamur Isufit, Gerti Karinës, Hektor Shaqirit, Klevis Kasos, Odise Moçkës dhe Tatjana Marashit. Ndërkaq, me të njëjtin motivacion me Gjozën, ky Komision ka skualifikuar kandidaturat e Asim Belinovit dhe Kreshnik Lekës. Nga 9 kandidaturat e miratuara për Këshillin Drejtues, vetëm 6 kandidatuat që do të marrin më shumë vota do të sigurojnë vendin e anëtarit, duke iu bashkuar kështu presidentit, që duke qenë se janë vetëm dy kandidatura, zgjidhet me një shumicë e thjeshtë. Mbetet të shihet se si do të shkojnë zgjedhjet e nëntorit në Federatën Shqiptare të Peshëngrirtjes, por favoriti kryesor për ta fituar këtë garë është presidenti aktual, Theodhor Masllavica.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here