Turqia dhe Greqia u goditën mesditën e të premtes nga një tërmet i fuqishëm me një magnitudë 7 të shkallës Rihter, duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe lëndime në njerëz. Epiqendra ishte në afërsi të Ishujve Dodekanezë në Egjeun jugor, me një thellësi prej 10 km.
Sizmologu Edmond Dushi thotë se Egjeu jugor është një basen që karakterizohet nga tërmete të forte M>7 dhe nga cuname. “Ashtu si edhe për tërmetin e Durrësit, pas rreth 94 vjetësh, kishte ardhur koha, mendoj se edhe për këtë rajon ka një period të përsëritjes karakteristike”, thotë Dushi.
I fundit në këtë rajon dhe më i forti në shek. XX për Greqinë është tërmeti i 1956 me magnitudë 7.7 i pasuar nga një pasgoditje 7.2 që shkaktoi cunami ndërkohë që ka evidenca për 18 të tjerë.
Sipas Dushit tërmetet e fortë dhe të cekët detarë shkaktojnë cunami dhe kjo është një zonë e njohur për këtë dhe ka rrezik të lartë gjithmonë.
“Pra, tërmetet e fortë të cekët dhe me mekanizëm kryesisht të tipit normal kanë shkaktuar dallgë të mëdha dhe cuname në këtë rajon. Ndërsa në harkun e Egjeut, Kretë etj, janë tërmetet e fortë të tipit lart-rrëshqitës, përgjegjës për shkaktimin e cunameve në Mesdhe”, vijon profesor Dushi.
A rrezikojmë ne nga lëkundje tërmeti teksa rajoni vijon të jetë aktiv? Profesor Dushi nuk mendon se rrezikohemi direkt, por ekuilibrat janë prishur.









































