Raporti/ BE i kerkon BKH të godasë në nivele të larta, kërkohen hetime politikanësh dhe sekuestrime pasurish për negociatat

0
303

Vendet anëtare të Bashkimit Europian i kanë dhënë porosi të qarta Byrosë Kombëtare të Hetimit për të goditur korrupsionin në nivele të larta, si kusht kryesor për hapjen e negociatave. Franca, Holanda, Spanja dhe Danimarka kanë nisur diskutimet në kuadrin negociues në nivel ambasadorësh dhe ku bëhet vlerësimi i vendit për përparimet e shënuara dhe punën që mbetet për t’u bërë. Në raport theksohet se goditja e korrupsionit dhe krimit të organizuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të bëhet sa më parë, pasi është kusht kryesor për çeljen e negociatave. Hetimi i politikanëve të përfshirë në këto afera dhe sekuestrimi i pasurive të tyre që janë vendosur në mënyrë të paligjshme duhet të bëhet para konferencës ndërqeveritare. Në raport theksohet gjithashtu se procesi i vetingut ka përparuar me qëndrueshmëri dhe që ka prodhuar rezultate të prekshme, si dhe i inkurajon autoritetet shqiptare të vijojnë përpjekjet për të stabilizuar sistemin e drejtësisë në vend. “Është e rëndësishme që të zhvillohen rekrutimet e mëtejme të Byrosë Kombëtare të Hetimit në mënyrë që ajo të jetë plotësisht funksionale. Përpjekjet drejt vendosjes së gjurmëve të forta të provave duhet të vijojnë, përfshirë në lidhje me verdiktet përfundimtare dhe hetimet pro-aktive për korrupsionin krimin e organizuar të nivelit të lartë, si dhe nëpërmjet zbatimit të planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve të Task Forcës së Veprimit Financiar, ashtu siç duhet të vijojë dhe bashkëpunimi i mirë me autoritetet përkatëse të vendeve anëtare. Me një dhomë të plotësuar dhe dy të mbetura, Gjykata e Lartë po funksionon, dhe pati dhe përparim në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, megjithëse nevojiten përpjekje të mëtejme për të proceduar me emërimet e mbetura në të dy këto institucione”, thuhet në raportin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Edhe në këtë pikë, e sidomos për pjesën e Gjykatës Kushtetuese, katër vendet dyshuese të mësipërme kërkojnë riformulim të vlerësimit, gjë që mbetet për t’u parë se si do të ndryshojë në javët në vijim.

Ja progresraporti i KE

Pak kohë më parë, Komisionit Europian përmes një progresraportit vlerëson pozitivisht procesin e vetingut, proces i cili kontrollon pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasurinë dhe profesionalizmin e tyre. Më shumë se 286 dosje janë përpunuar deri më tani, duke shkaktuar në 62% të rasteve shkarkime, kryesisht për çështje që lidhen me pasuri të pajustifikuara. Në raport theksohet se pavarësisht se numri i hetimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve është i lartë, dënimet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë mbeten të kufizuara. Komisioni Europian vlerësoi se korrupsioni mbetet i përhapur dhe është një shqetësim serioz, por autoritetet, thuhet në raport kanë forcuar kapacitetet operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit. “Shqipëria ka bërë progres të mirë në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, operacionet policore për shpërbërjen e organizatave kriminale janë intensifikuar, po ashtu edhe lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Një tjetër pikë pozitive në raport është edhe lufta ndaj terrorizmit dhe lufta kundër pastrimit të parave të pista”, thuhet në progresraportin e Komisionit Europian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here