Irritohet volejbolli nga mbyllja e palestrave, federata: Asnjë vend nuk e ka bërë këtë

0
519

Ndërsa futbolli vijon bojkotin, si pasojë e katër kërkesave që i janë adresuar qeverisë, duket se sportet e tjera po vuajnë për shkaqe sa burokratike aq dhe paradoksale. Në një kohë që hapja është gjithandej prej muajsh, në një kohë që funksionojnë baret dhe restorantet, transporti publik, qendrat tregtare, shëtitjet masive në rrugë etj, për volejbollin duket se kjo përbën problem. Referuar burimeve zyrtare, Ministria e Shëndetësisë nuk i ka dhënë leje Federatës Shqiptare të Volejbollit që të organizojë ndeshjet e kampionatit. E thënë shkurt, nuk është dhënë leje që të luhen ndeshje volejbolli, me arsyetimin se në palestrat dhe pallatet e sportit ku luhen ndeshjet ekziston mundësia e infektimit me kovid-19. Paradoksale e ka konsideruar këtë sjellje edhe Federata Shqiptare e Volejbollit. “Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) shpreh keqardhjen dhe indinjatën e saj për vendimin e datës 19 tetor 2020, që refuzon rifillimin e sportit tonë. Pas shumë kërkesave të përsëritura prej një periudhe 7-mujore nga FSHV-ja, dhe në momentin kur mendonim se do i riktheheshim fushës së lojës, vjen dhe përgjigja më e pakuptimtë e Ministrisë së Shëndetësisë e cila vazhdon të ndalojë aktivitete në mjedise të mbyllura të kampionateve kombëtare të volejbollit. Ndërkohë që janë hapur e funksionojnë palestrat e “fitness”-it, qendrat tregtare, transporti publik, baret, restorantet, shkollat, kinematë, etj., Ministria e Shëndetësisë e konsideron sportin e volejbollit me rrezikshmëri të lartë në përhapjen e virusit “Covid-19”! Një gjë e tillë vjen teksa ekspertët e mjekësisë dhe shëndetit anembanë botës e kanë ulur nivelin e perceptimit të rrezikut për shumicën e sporteve në përgjithësi dhe volejbollit në veçanti. Ajo që duhet theksuar është se kjo përgjigje e Ministrisë së Shëndetësisë nuk merr parasysh as faktin se volejbolli ka një veçanti, që ekipet janë të ndarë nga njëri-tjetri dhe lojtaret luajnë në një fushë 162 m2 e cila ndodhet ne një hapësirë 800 m2 minimumi”, thuhet ndër të tjera në qëndrimin e FSHV-së.

“Komiteti i Ekspertëve nuk është thelluar”

Në qëndrimin e saj federata Shqiptare e Volejbollit insiston që nuk ka fare rrezik për infektim, madje dhe teorikisht mundësia është më e vogël se në ambiente të tjera si urbani, tregu, kafenetë etj. në qëndrimin e tyre vihet në dukje se vendimi i Komitetit të Ekspertëve ka ardhur në mënyrë të pathelluar. “Edhe elementët e tjerë qe përbëjnë lojën e volejbollit zhvillohen në fraksione të sekondit gjë që e bën të pamundur transmetimin e Covid-19. Duke marrë parasysh këto fakte, është shqetësuese që Ministria e Shëndetësisë nuk thellohet pavarësisht informacioneve të shumta që i kemi dërguar se si po menaxhohet ky sport në rajon e më gjerë. Kjo nënkupton se Komiteti i Ekspertëve nuk është thelluar fare në këto specifika, duhet përcjellë një përgjigje shabllon. Kjo është në kontrast të plotë me atë që në të gjithë Evropën po luhet volejboll, duke filluar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, etj, e për të kulmuar me Italinë, që është edhe epiqendra e Covid-19 në kontinent. Ndeshjet e Ligës së Volejbollit atje i ndjekin dhe spektatorët e distancuar. Së fundmi, por jo më së paku, duke patur parasysh edhe faktin se i kemi dërguar autoriteteve përkatëse një protokoll shëndetësor anti-Covid-19 të bazuar në modelet më të mira anembanë Evropës, por dhe ai qe po përdoret ne Kosove e Maqedoninë e Veriut ku rastet janë me larta, por volejboll luhet. Federata Shqiptare e Volejbollit e cilëson përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë, në rastin më të mirë, një vlerësim të bazuar në paaftësi për të gjykuar mbi arsyetim të shëndoshë, dhe, shpreh gatishmërinë e saj të ribisedojë me ekspertët për të bërë të mundur të luhet sport. Ndërkohë, i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Rinisë e Sportit të zgjohet nga “gjumi letargjik” si ministria përgjegjëse për mbarëvajtjen e sportit në Shqipëri”, citohet në komunikatën e Federatës Shqiptare të Volejbollit që është përcjellë për mediat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here