Policia e Tiranës bën të ditur se është vënë në pranga dhe ish drejtori i OST-së, Klodian Gradeci, në kuadër të operacionit të koduar “Akciza”.
45-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkohë që ka marrë masën arrest me burg nga gjykata.
“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza”, i finalizuar më datë 06.10.2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. G., 45 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, thote policia.
Sipas dosjes hetimore, një shoqëri aksionere ‘’Phoenix Petroleum’’ me drejtues Naim Kasën dhe Isuf Berberin ka shfrytëzuar disa puse nafte dhe ecurinë e saj duhet ta ndiqte pikërisht AKBN. Shoqëria nuk i ka kryer këto investime të detyrueshme tek puset e naftës dhe ka paraqitur në AKBN 8 fatura të falsifikuara nga shërbime që nuk i ka përfituar nga kompania amerikane Black Sëan Energy Service.
Zyrtarët e AKBN, Qani Hoxhaj, R.Q, D.D, dhe Klodian Gradeci kanë cerifikuar kundër ligjit punimet e pakryera dhe i kanë pasqyruar në fatura si punime të kryera. Vlera totale e falsitetit të faturave është 1 milionë e 229 mijë dollarë.
Po ashtu dy punonjësit e Tatimeve, Arben Doda dhe Simon Marku përpiluan një raport kontrolli kundra ligjit,dhe administrata pësoi një dëm prej 568 mijë dolllarë amerikanë duke mos denoncuar rastin.
AKBN nga gjithë këto veprime të jashtëligjshme në përfundim ka pësuar një dëm prej 1 milion e 472 mijë e 766 dollarë.