Opozitari rus Aleksei Navalny, i njohur si një ndër kritikët më të mëdhenj të Putinit është shprehur se ka vendosur të kthehet në Rusi, pavarësisht faktit që tentuan ta vrisnin duke e helmuar.
Në një intervistë për transmetuesin amerikan CBS, Navalny tha se planifikon të kthehet brenda disa muajsh dhe të vazhdojë luftën e tij kundër korrupsionit. Ai foli nga Berlini, ku po shërohet nga helmimi me agjentin nervor Noviçok. Navalny është helmuar në një fluturim nga Siberia në Moskë, më 20 gusht. Laboratorë të pavarur në Gjermani, Francë dhe Suedi, si dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike kanë konfirmuar se Navlany është helmuar me Noviçok. Kremlini e mohon helmimin e tij dhe Qeveria ruse i ka rezistuar presionit ndërkombëtar për të hapur hetime në lidhje me rastin.
Javën e kaluar, Bashkimi Evropian ka rënë dakord që të vendosë sanksione kundër gjashtë zyrtarëve rusë dhe një subjekti, për helmimin. Navalny, kritik i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin, përsëriti për CBS-in se ai është i sigurt se Putini është përgjegjës për helmimin. “Unë mendoj se Putin përdor armë kimike për të bërë dy gjëra – për të më vrarë dhe për t’i tmerruar të tjerët”, tha Navalny.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se akuzat se Putin është përgjegjës janë “të pabaza” dhe “të papranueshme”. Navalny ka dalë nga spitali në Berlin më 22 shtator, pasi ka kaluar 32 ditë në klinikë. Sipas CBS-it, ai është ende nën mbrojtjen e Qeverisë gjermane, sepse ka shqetësime se mund të jetë shënjestër e një helmimi tjetër.









































