Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë ka nisur restaurimin e shtëpisë muze të Sterjo Spases. Në muzeun e parë në Pustrec do të ekspozohen jo vetëm dorëshkrime origjinale të shkrimtarit, por edhe objekte tradicionale të zonës. Ministrja e Kulturës Elva Margariti bën me dije se projekti është me financim nga Bashkimi Europian. Sipas ministres së Kulturës, projekti është edhe një nxitje për zhvillimin e zonës. “Si një bashkëpunim ndërkufitar, mes Bashkisë Pustec, Bashkisë së Bitolës, me ndihmën e vyer të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Korçë dhe me financim nga Bashkimi Europian nisi puna për restaurimin e shtëpisë-muze të shkrimtarit Sterjo Spasse, në Pustec. Jo vetëm objekt kujtese për autorin e romanit të parë filozofik shqiptar, “Pse?”, por edhe një nxitje zhvillimi për gjithë zonën e Prespës”, shprehet ministrja Elva Margariti. Në këtë godinë, ku shkrimtari i romanit “Pse” jetoi rreth nëntë vite do të ekspozohen pas restaurimit rreth 25 dorëshkrime, si dhe objekte personale të autorit. Investimi që është financuar nga Bashkimi Europian më herët u bë me dije se ka vlerën 200 mijë euro, në kuadër të projekteve ndërkufitare. Sterjo Spasse lindi në Gollomboç, 16 shtator 1914 dhe u nda nga jeta në Tiranë, 1989. Veprimtaria letrare e Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane, etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kuror rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983). Redaksia e botimeve “Rilindja” i botoi më 1968 një komplet veprash në tetë vëllime, ndërsa herë pas here ka botuar vepra të ndryshme. Më 1980-1985 iu botuan po ashtu në Tiranë botimi integral “Vepra” me nëntë vëllime. Më 1980 iu përkthye në anglisht romani “Zgjimi”.