Ish-drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa prej disa ditësh ka shpërthyer në sulme të forta në drejtim të personazheve të njohur, duke i akuzuar ata si bashkëpunëtorë në Sigurimin e Shtetit. Pas marrjes së azilit politik në Zvicër, Tufa ka shtuar dozën e akuzave dhe po merret vetëm me dosjet e Sigurimit. Por në lidhje me këto akuza, gazeta “SOT” kontaktoi me ish-shefin e Sektorit të Edukimit në Komitetin Qendror të PPSH, Muharrem Xhafa, i cili shprehet se deklaratat e Tufës nuk janë të vërteta, duke shtuar se ai po përfiton nga azili politik që ka marrë dhe po akuzon njerëz që nuk kanë qenë të përfshirë në Sigurimin e Shtetit. Xhafa shtoi se Tufa ka marrë zemër dhe është bërë më trim tani që është larguar nga Shqipëria pasi sipas tij ka gjetur mbështetjen e forcave pro fashiste në Shqipëri. “Dhe unë e kam ndjekur veprimtarinë paçavure e shpifarake të Agron Tufës. Agron Tufa i dëshmon popullit së dënimi i tij nga ligjet e shtetit socialist ka qenë i merituar! Agron Tufa hiqet trim se tani ndodhet në azil dhe ka besim të plotë që atje nuk i hyn gjemb në këmbë! Po të ishte populli në pushtet, pushteti i tij do ta gjente Tufën edhe në vrimë të miut! Agron Tufa është bërë “trim”, sepse ka mbështetjen e borgjezisë dhe forcave pro fashiste në Shqipëri. Po të fitojnë forcat profashiste më 25 prill 2021, Agron Tufa do të kthehet në Atdhe për t’u shërbyer edhe më mirë zotërinjve që e çuan në azil”, tha Muharrem Xhafa në reagimin e tij për gazetën.
Reagon Gjon Bruçi
Por në të njëjtën linjë ishte edhe Gjon Bruçi. I kontaktuar nga gazeta, ky i fundit u shpreh se Tufa ka filluar të çirret kundër LANÇ pasi mori azil politik dhe sipas tij pasi gjeti mbrojtje po hedh baltë mbi luftëtarët e vërtetë të atdheut. Bruçi deklaroi se pinjollët e ballit po vijojnë të fshihen në vendet e tjera për të shpëtuar veten, pasi janë shitur tek pushtuesit e vendit. “Tufa dhe “Tufëzinjtë” e tjerë kësisoj, kanë trashëguar besnikërisht veset dhe sëmundjet e ballistëve të kohës së luftës, të cilët, kur ishin prapa bythës së nazifashistëve italo-gjermanë, tregoheshin trima të çartur në djegien e fshatrave dhe pushkatimin e mbështetësve të LANÇ, ndërsa kur përballeshin drejtpërsëdrejti me Luftëtarët e Lirisë, partizanët legjendarë të Luftës Nacionalçlirimtare, menderoseshin duke ikur ferrave për të shpëtuar lëkurën e shitur tek pushtuesi. Këta pinjollë të skotës ballisto-zogisto-kolaboracioniste, ashtu si baballarët e tyre të kohës së luftës, pasi kanë siguruar prapanicën me “azilin politik” të të huajve, ashtu si zagarët që matanë “kanalit” lehin e çirren kundër LANÇ dhe heronjve të saj, por njëherësh lehin e çirren edhe kundër vendit e popullit të tyre, të cilët realizuan dy nga epokat më madhore të historisë së kombit shqiptar, LANÇ, e cila e çliroi popullin e thjeshtë nga prangat dhe shfrytëzimi i klasës bejlero-borgjeze të para 1944-s”, tha Gjon Bruçi për gazetën.
Qemal Lame po fsheh gjynahet e tij
Por Gjon Bruçi në reagimin e tij nuk la pa përmendur as ish-kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame. Për Bruçin, këtë të fundit ndonëse nuk e lidh asgjë me pinjollët ballistë, ai sërish ka dalë dhe po hedh baltë mbi socializmin, duke shtuar se Lame me këto akuza po mundohet të fshehë gjynahet që ka bërë kur ka qenë në krye të Hetuesisë së Përgjithshme. “Për fat të keq, në skotën e këtyre pinjollëve të ballisto-zogisto-kolaboracionistëve, kanë rënë e po bien edhe disa persona që nuk i lidh asgjë me këtë skotë të neveritshme dhe bastarde, përfshi persona që kanë qenë pjesë e mekanizmave të pushtetit të popullit. Siç na ka dalë këto kohët e fundit, një Qemal Lame, ish-kryehetues i Republikës në vitet e fundit të Socializmit, duke na treguar bëmat dhe “stërbëmat” e tij në luftën kundër socializmit, me të vetmin objekt, të mbulojë gjynahet e mundshme të tij në postin delikat që ka patur dhe njëherësh edhe për të siguruar dhe shtuar gavetën e “groshëve” që i jep “Pronari i azilit politik” në kontinentin e përmendur për azile, komplote, intriga e makinacione në dëm të vendeve e popujve të vegjël”, tha Bruçi.


































