Berat/ Kisha e Shën Kollit në proces restaurimi

0
378

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat shprehet se restaurimi i çatisë e shpëtoi nga degradimi kishën e Shën Kollit, një monument kulture. DRTK bën me dije se punimet tashmë janë përqendruar edhe për restaurimin e muraturës së fasadës perëndimore. “Restaurimi i çatisë së monumentit e shpëtoi përfundimisht atë nga rreziku i degradimit por tashmë, CHWB -Albania dhe DRTK -Berat janë duke u përkujdesur edhe për restaurimin e muraturës së fasadës perëndimore. Jemi te kisha e Shën Kollit pranë Babë Dudës në Kala, monument kulture kategori e parë i shek. XIX. Nën mbikëqyrjen e specialistëve të DRTK dhe të mjeshtrit Xhoxhi Fani kursantët po trajnohen, duke u fokusuar në fazën e mirëmbajtje/restaurimi në këtë monument të rëndësishëm”, bën me dije DRTK. Sipas drejtorisë Berat, pas pastrimit e larjes në mënyrë mekanike të pjesës së muraturës ku elementi lidhës ka qenë shume i degraduar, po ndërhyhet me injektimin e fugatim me llaç – gëlqere qull të stazhionuar në raportin 1:3. “Pastrimi më pas me furçë teli në fazën finale do të mund të nxjerrë në dritë fasadën perëndimore në të cilën prej dekadash nuk ish ndërhyrë”, shprehet DRTK. Themelet e kishës së Shën Kollit në Kala janë shumë të vjetra, ndoshta të një kishe të shekullit XI- XII, mbi të cilën është ndërtuar kisha e sotme pas bizantine e shekullit XVI. Sipas materialeve të publikuara, këtë e dëshmon fakti i zbulimit të një abside gjatë gërmimeve në pjesën e pasme të kishës, nga ku ka dalë dritarja e ndërtuar me tulla të holla të një abside më të vjetër. Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Midis vlerave, nga më të spikaturat janë kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit, që është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. Në datën 8 korrik të vitit 2008 Berati u regjistrua në listën e UNESCO-s nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në konferencën e radhës të mbajtur në Kanada. Berati u vlerësua si një shembull i rrallë i arkitekturës tipike Osmane. Fakti që qyteti i Beratit tashmë është pjesë e UNESCO-s, por dhe vlerat e veçanta kulturore dhe historike që kjo zonë mbart ndër vite kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here