Kandidatët për FBI shqiptare/Nga kadetë që kanë studiuar jashtë, komisarë, gardistë e OPGJ, te auditues, inspektorë pasurish e tatimesh, ja kush janë

0
271

Zbardhen detajet e kandidatëve për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Të hënë u mbyll faza e parë dhe u kualifikuan 424 emra dhe në fund vetëm 60 prej tyre do të jenë pjesë e FBI shqiptare. Gazeta ka bërë disa kërkime mbi emrat e publikuar nga BKH ku bie në sy se ka një shumëllojshmëri profesionesh. Për shkak të moscënimit të garës, po përmendim vetëm inicialet e disa prej kandidatëve, profesionet e të cilëve janë të njohur. Në këtë mënyrë, sipas të dhënave, A.A është hetues tatimor. Ndërsa A.M rezulton se mban gradën komisar dhe është pjesë e forcave të policisë prej vitesh. Por mes kandidatëve ka dhe shumë femra, shumica efektive policie, si shtetësja A.G. Ndërsa A.H rezulton audituese e brendshme në institucione. Sipas listës A.G rezulton Oficer i Policisë Gjyqësore. Ajo që bie në sy është se mes emrave kemi dhe një gardiste, me inicialet A.A. po ashtu ka dhe emra të njohur që kanë kandiduar si A.Z, i cili mban post drejtues në polici. Ndërsa A.S rezulton të jetë jurist. Një tjetër OPGJ, është A.J, i cili është përfolur dhe në media, pasi ka qenë dhe këshilltar në KPK. Por ajo që bie në sy është se në listë rezulton dhe B.V, një kadet shqiptar i cili ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera shkollimin në Akademinë Mbretërore Ushtarake “Sandhurst” në Britaninë e Madhe. Bëhet fjalë për një listë shumë të pasur, ku dominojnë sigurisht efektivët e policisë, por ka emra nga fusha nga më të ndryshmet. BKH do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa do të ketë një sërë sektorësh që do merren me krimin financiar, deklarimet e pasurive, gjurmimin e parave etj. Për këtë arsye në BKH do të merren specialistë të fushave nga më të ndryshme. Një tjetër element është se shumica janë të rinj e të reja me ambicie që të bëhen pjesë e organit më të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit. Po ashtu ka dhe ekspertë kriminalistikë, ish-inspektorë të ILDKPI, juristë të ndryshëm dhe kontabilistë. Sinjalet janë se do të kemi një organ, i cili do të godasë fort të korruptuarit e sidomos në nivel politik.

Sot testi

Të gjithë emrat e kualifikuar do të futen sot në testim dhe më pas do të rrudhet lista. Sipas të dhënave të BKH, do të kemi një testim për arsyetimin logjik. “Testi i Arsyetimit Logjik zhvillohet për të vlerësuar aftësinë e kandidatit për të menduar në mënyrë kritike. Pyetjet kanë lidhje me arsyetimin induktiv dhe deduktiv, duke përdorur si pjesë tekstesh ashtu edhe informacion numerik. Testi i Arsyetimit Logjik zgjat 1 orë dhe përbëhet nga 30 pyetje. Testimi do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, hyrja përballë Presidencës. Për shkak të numrit të lartë të kandidatëve të kualifikuar testimi do zhvillohet në dy faza: Ora 08.00 – 12.00, të datës 14.10.2020, do paraqiten për testim kandidatët që janë në listë, me numër rendor nga 1 deri në numrin rendor 200; Ora 14.00 – 18.00, të datës 14.10.2020, do paraqiten për testim kandidatët që janë në listë, me numër rendor nga 201 deri në numrin rendor 424”, tha BKH. Kandidatët në testin me shkrim do të jenë të pajisur me maska për sigurinë shëndetësore të tyre, ndaj pasojave të infeksionit COVID-19. Kandidatët para se të hyjnë në testin me shkrim do të regjistrohen duke paraqitur një dokument identifikimi me fotografi (pasaportë ose kartë identiteti). Dokumenti identifikimit do të krahasohet me gjeneralitetet e parashikuar në listën emërore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here