Rama shkund koordinatorët dhe nis spastrimet/ Në Sarandë e Gjirokastër ikin krerët e degëve, në Durrës shkarkohen 6 drejtorë

0
311

Nis furtuna në Partinë Socialiste dhe administratën shtetërore. Edhe pse na ndajnë edhe gati 200 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021, partitë politike kanë ndezur motorët e fushatës zgjedhore. Por që të fitosh zgjedhjet, duhet patjetër shumë punë dhe para qytetarëve duhet të shkosh edhe me alternativa. PS e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka shfaqur ambicien për një mandatat të tretë qeverisë, ndërkohë që vetë kryesocialisti ka paralajmëruar vartësit e tij në parti dhe administratë se askush nuk e ka vendin e sigurtë nëse është në “gjumë”. Dhe duket se “viktimat” e para të kësaj furtune janë krerët e Partisë Socialiste të Gjirokastrës dhe Sarandës. Gazeta ka mësuar se në krye të PS Gjirokastër është emëruar zoti Genti Llogo. Ndërsa nga ana tjetër mësohet se është zgjedhur edhe kryetarja e re e Partisë Socialiste në Sarandë. Ajo është Lindita Kondi. Të dy këta drejtues nuk kanë humbur kohë dhe kanë nisur nga puna organizative për fushatën e PS për zgjedhjet e 25 prillit, duke zbritur në terren dhe iu përgjigjur kështu ultimatumit të kryeministrit Rama për të rritur kontaktet e karikuar bazën.

Nis furtuna, në Durrës shkarkohen 6 drejtorë

Por përveç furtunës që ka prekur krerët e degëve të Partisë Socialiste në kuadër të riorganizimit të partisë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 edhe administrata shtetërore ka nisur të rifreskohet. Ditën e djeshme është shkarkuar drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës, Artur Çobani. Sipas informacioneve, mësohet se Çobani është zëvendësuar nga Rezart Elmazi, pas 11 muajsh në këtë detyrë. Çobani ishte emëruar në krye të detyrës pas arrestimit të ish-drejtuesit Liridon Pula, i cili u akuzua për tjetërsim pronash në Gjirin e Lalëzit. Më herët Çobani ka qenë edhe regjistrues në ZRPP Tiranë. Po kështu, më herët Çobani ka mbajtur edhe postin e shefit tekniko-ligjor, në Drejtorinë e Përgjithshme. Sakaq, ai ka qenë edhe si drejtor i komanduar në Kavajë, para shkrirjes së drejtorive të Aluiznit dhe Hipotekës. Nga ana tjetër, sipas informacioneve në qytetin e Durrësit pritet të shkarkohen edhe 5 drejtorë të tjerë, lëvizje këto që janë diktuar nga baza, por edhe pas ultimatumeve të lëshuara nga kryeministri Edi Rama. Më konkretisht, mësohet se mes drejtorëve që pritet të ndryshojnë janë ai i Drejtorisë së Arsimit në Durrës, i AKU, i Shërbimit të Provës, i Postës Shqiptare dhe i Inspektoratit të Shëndetit.

Rama shkund koordinatorët

Megjithatë “kritikave” të kryeministri Edi Rama nuk i kanë shpëtuar as koordinatorët e Partisë Socialiste në 12 qarqet e vendit. Kryeministri Rama mblodhi dje të gjithë drejtuesit politikë të qarqeve të PS, mbledhje e cila u zhvillua në ambientet e brendshme të selisë dhe kishte të bënte me diskutimin për zgjedhjet e 25 prillit. Gazeta ka mësuar detaje nga ky takim, ku mësohet se shefi i qeverisë është treguar mjaft i ashpër me vartësit e tij të cilët i ka shkundur, ndërsa iu ka kërkuar që të punojnë më shumë dhe të zbresin në bazë, duke rritur kontakte me strukturat dhe qytetarët. Kujtojmë që mbledhja e djeshme me koordinatorët, është kthyer në traditë të përjavshme, ndërsa vjen disa ditë pas takimit të Asamblesë së socialistëve, ku u vendos shtyrja e votimeve për ndryshimet në Kryesi dhe të Sekretariatit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here