Azerbajxhani dhe Armenia janë përfshirë sërish në përplasje me njëra tjetrën. Të shtunën më datë 10 tetor, këto dy shtete që kanë qenë prej dy javësh në luftime mes njëra – tjetrës, vendosën një armëpushim. “Një armëpushim u njoftua duke nisur nga ora 12:00 më 10 tetor 2020 për qëllime humanitare”, theksoi ministri rus i Punëve të Jashtme, Serguei Lavrov, i cili konfirmoi se armëpushimi do të mundësojë shkëmbimin e të burgosurve të luftës, të personave të tjerë dhe të trupave të vrarë në marrëveshje me kriteret e Komitetit të Kryqit të Kuq. Armenia dhe Azerbajxhani ranë dakord për armëpushimin në rajonin e diskutueshëm Nargorno-Karabakh pas 10 orë bisedimesh në Moskë, me ftesë të Presidentit rus Vladimir Putin. “Azerbajxhani dhe Armenia janë angazhuar gjithashtu në negociata thelbësore për të arritur sa më shpejt një zgjidhe paqësore të konfliktit me ndërmjetësimin e presidentëve të grupit të Minskut të OSBE-së”, theksoi Lavrov. Ndërkohë që pa kaluar ende 24 orë nga vendosja e armëpushimit, Azerbajxhani ka akuzuar forcat armene se e kanë shkelur këtë marrëveshje. “Natën e 11 tetorit, Ganja, qyteti i dytë më i madh në Azerbajxhan dhe përtej vijës së frontit, u qëllua me zjarr raketash nga forcat e armatosura armene. Sulmi shkaktoi vdekjen e shtatë civilëve dhe plagosjen e 39 të tjerëve, përfshirë të mitur”, shkruante në llogarinë zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit në Twitter.
Reagimi
Agjencia Retuers ka raportuar se korrespondentët kanë parë të paktën një trup të pajetë, teksa nxirrej nga një ndërtesë banimi në Ganja. Por, Ministria e Mbrojtjes së Armenisë ka thënë se këto pretendime janë “gënjeshtra” dhe e ka akuzuar Azerbajxhanin se ka bombarduar në pjesë të ndryshme të rajonit të Nagorno Karabakut, përfshirë edhe në qytetin më të madh në këtë rajon, Stepanakert. Baku po ashtu ka akuzuar Armeninë se ka tentuar që të kryejë sulme me raketa dhe dronë në një stacion elektrik në Mingchevi, por pa sukses. Arayik Haratyunyan, lideri i forcave etnike armene në Nagorno Karabak tha se marrëveshja e armëpushimit e ndërmjetësuar nga Rusia ende është në fuqi, por situata vazhdon të jetë e tensionuar. Ai shtoi se shkëmbimi i të burgosurve, që është pjesë e kësaj marrëveshjeje pritej që të niste më 11 tetor, por tashmë ka dyshime se ky proces mund të nis. Të dyja palët i mohuan vazhdimisht pohimet e njëra-tjetrës në lidhje me aktivitetet ushtarake. Sakaq, Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut ka deklaruar se kishte marrë njoftime të pakonfirmuara se më shumë se 50 civilë, përfshi fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i luftimeve me 27 shtator. Luftimet po ashtu u kanë marrë jetën rreth 400 ushtarëve dhe kanë detyruar mijëra njerëz që të braktisin shtëpitë e tyre. Territori me popullsi kryesisht armene e shpalli pavarësinë nga Azerbajxhani në vitin 1991 gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, duke shkaktuar një luftë që u mori jetën rreth 30 mijë njerëzve para se të arrihej një armëpushim. Pavarësia e atij territori nuk njihet në arenën ndërkombëtare. Luftimet në Nagorno Karabak nisën më 27 shtator dhe po konsiderohen si më të ashprat në vitet e fundit. Rajoni i Nagorno Karabakut ka qenë nën kontrollin e forcave etnike armene, që mbështeten nga Jerevani, që prej 1994, kur ishte arritur një marrëveshje armëpushimi, që i dha fund një konflikti të separatistëve. Që atëherë, Nagorno Karabaku është banuar dhe qeverisur nga armenët etnikë, duke detyruar qindra-mijëra azerbajxhanas të largohen nga rajoni dhe të shpërngulen.