“Për një fjalë goje”/ Një komedi e batutave vjen premierë te amfiteatri i liqenit të Tiranës

0
352

Komedia “Për një fjalë goje” vjen premierë me regji nga Eliona Thomaraj. Në amfiteatrin liqenit artificial të Tiranës mbrëmjen e datës 11 tetor, vepra e autores Nathalie Sorrout vjen për publikun me interpretimin e aktorëve nën drejtimin e regjisores Thomaraj. Si regjisore Eliona Thomaraj këtë herë rolet në veprën e përthyer nga Mirela Kumbaro ia ka besuar aktorëve Denis Kurushi, Edvin Mustafa, Anila Muçaj, Deliana Topulli, ku Elona Islamaj është në violinë dhe skenografia nga Bledar Gërcaliu. Vetë regjisorja në një mesazh pak ditë para se komedia të vijë premierë, shprehet se këtë herë ka zgjedhur që të vijë para publikut me një komedi, që i përgjigjet dhe kushteve ku ne jemi sot me pandeminë. “Flisni sa të doni, por mos u grindni për një fjalë goje. Për të gjithë ata që u lodhën nga karantina dhe jeta e mbyllur artistike, për të gjithë spektatorët e përmalluar të teatrit, kemi përzgjedhur me shumë sqimë dhe me kujdes komedinë që i përgjigjet më së miri kushteve në të cilat jetojmë, post karantina dhe kujdesi ndaj Covid-19”, pohon regjisorja Thomaraj për veprën premierë “Për një fjalë goje”, që më 11 tetor do të vijë premierë për publikun. Regjisorja thotë, se së shpejti do të vijë me këtë vepër para publikut dhe thekson në mesazhin e saj dhe rëndësinë e artit këtë kohë dhe teatrit. “Arti lindi si nevojë komunikimi dhe katarsisi, ndaj do t’ju dhurojmë më të mirën e asaj që duhet ti ofrojmë publikut artdashës. Së shpejti në amfiteatrin e liqenit Tiranë”, pohon regjisorja Thomaraj. Ky projekt mbështet nga Bashkia e Tiranës dhe sipas regjisores është një komedi e batutave. “Ne kemi konkurruar me shoqatën ““Tirana Ekspres” në Bashkinë e Tiranës dhe kemi fituar këtë projekt me komedinë që po punojmë, në kuadër të promovimit kulturor të qytetit. Ne provat i zhvillojmë po në mjediset e “Tirana Ekspres” në Tiranë. Kjo është një komedi e batutave dhe jo e situatës. Një komedi e batutave, që do të vijë më s emir në datën 11 tetor si premierë në amfiteatrin liqenit në Tiranë”,hotë Thomaraj.

Përzgjedhja e veprës

Në këtë komedi premierë janë 4 personazhe dhe sipas regjisores Eliona Thomaraj vepra përcjell dhe mesazhe për shoqërinë tonë, që është dhe një arsye pse ajo ka bërë këtë përzgjedhje për të qenë para publikut këto ditë të muajit tetor. ““Për një fjalë goje”, që është përkthyer nga Mirela Kumbaro. Pjesa është me katër personazhe. Vepra teatrore flet se si dy miq të vjetër janë në gjendje që të grinden dhe për një fjalë goje mes tyre dhe është përzgjedhur kjo komedi pikërisht për këtë kohë të vështirë, që ne po kalojmë me pandeminë, ku duhet që të jemi shumë më social dhe të hapur, të mos grindemi me njëri-tjetrin për një fjalë goje. Kjo ishte dhe arsyeja se pse ne u vendosëm, që të kishim këtë vepër komedi të autores Nathalie Sorroute”, vijon më tej regjisorja Thomaraj. Në aktivitetin e saj me teatrin, Eliona Thomaraj shprehet se kjo është një kohë e vështirë për artistët, që të gjithë janë në pritje të hapjes së teatrove. Sipas, saj sfida për një regjisor në kohë pandemie del që tek përzgjedhja e veprës artistike. “Mendimi për zgjedhjen e veprës artistike ka lindur eksluzivisht dhe vetëm nga pandemia. Pra kemi gjetur një pjesë teatrore ky dy personazhe pothuajse nuk kanë as dhe një takim ngjitur njëri-tjetrin, madje mund të themi pa frikë që ne ruajmë distancat edhe në procesin e punës. Është një pjesë teatrore, ku nuk ka ndërveprime fizike me aktorët. Mendoj që këtë kohë regjisorët mund të bëjnë këtë zgjidhje momentale për të qenë panë publikut. Sigurisht që nuk mund të heqin dorë nga të gjithë shfaqjet teatrale që janë të prodhuara deri më sot që janë të shkruara, por momentalisht ndodh në bibliotekën e madhe të teatrit botëror që të kemi vepra me pak personazhe, ku nuk ka ndërveprime fizike ndërmjet aktorëve”, tregon më tej Thomaraj. Ndërsa këtë herë Eliona Thomaraj vjen si regjisore me një vepër, më parë nuk ka munguar edhe si aktore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here