Nga Lushnja kreu i PD-së, Lulzim Basha i ka kërkuar SPAK të të hetojë vjedhjet e parave të shqiptarëve me projekte si ai i inceneratori i Fierit.
Ai thotë se sektori i bujqësisë është më i braktisuri në shtatë vjet , pasi paratë e shqiptarëve shkojnë për klientët e Ramës.
“Paratë e subvencioneve shkojnë për klientët e qeverisë dhe okigarkët. Vetëm për inceneratorin e Fierit, që akoma nuk ekziston, janë zhdukur 24 milionë euro. Është një gropë e zezë korrupsioni, ku është përfshirë Edi Rama, Arben Ahmetaj, figura të mrumit të organizuar. Në planin me 5 pika të PD me 24 milionë euro që janë zhdukur për inceneratorin e Fierit, mund të ndihmoheshin 24 mijë biznese. Më një çek prej 1 mijë euro për 6 muaj, të ndihmoheshin mijëra fermerë apo mijëra të papunë. Me ne, vjedhja e parave për projekte si inceneratorët, do të marrë fund, me hir a me pahir. SPAK do të detyrohet ta hetojë dhe do të çohet para drejtësisë dhe prapa hekurave, të ndëshkojë këdo që është përfshirë në këtë vjedhje masive”, tha Basha.
Më tej ai u angazhua për heqjen e taksës “Rama” për karburantet dhe brenda 100 ditëve të para do ti japë fund naftës pa cilësi.
“Heqja e taksës “Rama” mbi karburantin 240 lekë për litër do të jetë ndihmë e jashtëzakonshme. Karburanti ynë është më i shtrenjti në rajon, duke bërë çdo mall dhe shërbim më të shtrnejtë dhe jo konkurues. Cilësia e naftës është më e keqja, sepse e dimë të gjithë, se karburanti përzihet. Brenda 100 ditëve të para do t’i jepet fund naftës pa cilësi në tregun shqiptar. Kjo nuk do të ulë të ardhurat, përkundrëzi. Në vitin e parë do të kemi 50 milionë euro më shumë në buxhet, sepse do t’i japim fund kontrabandës së karburanteve”, tha ai.