Planet e presidentit Meta për të futur nën thundrat e tij Gjykatën Kushtetuese nuk po ecin. Takimet e shumta të ndërkombëtarëve me anëtarët e KED duket se kanë dhënë efekt, pasi ata që ishin të besuarit e Metës janë skualifikuar. Të hënën në mesnatë KED mori vendimin për 4 kandidatë mbi vakancën e shpallur nga presidenti një vit më parë dhe u skualifikuan nga gara Sergjio Mazreku; Sinan Tafaj; Shaqir Hasanaj dhe Zhaklin Peto. Tre emrat e fundit janë kandidatë që kanë aplikuar dhe më herët dhe janë skualifikuar nga gara. Në atë kohë, Meta sulmoi madje shumë fort kreun e KED, Ardian Dvorani sepse sipas tij, nuk kishte vepruar si duhet, veçanërisht në rastin e zonjës Zhaklin Peto, e cila u ankua në gjykatë dhe gjykata kërkoi rimarrjen e vendimit ndaj saj. Për këtë çështje Dvorani foli dhe në Parlament duke e cilësuar si kërcënuese letrën e presidentit. Ndërkohë Meta është ankuar dhe në Venecia. “Gjykata e Apelit Administrativ në shqyrtim të dy vendimeve të KED, për skualifikimin e një kandidati nga gara për dy vende vakante, konstatoi se disa veprime proceduriale, apo vlerësime të KED që i përkasin momenteve më të rëndësishme të këtij procesi, janë kryer në shkelje të rëndë të procedurës së përcaktuar nga ligji, me pasojë pavlefshmërinë absolute të vendimeve të KED. Gjykata e Apelit Administrativ me vendimin nr. 201, datë 22.08.201912, vendosi shfuqizimin e dy vendimeve të KED, dhe rikthimin e çështjes për rigjykim në Këshill. Në datë 31 gusht 2019, Presidenti i Republikës, me shkresën nr. 2941/1 Prot., datë 31.08.201913, i është drejtuar KED, duke kërkuar zbatimin me rigorozitet të Kushtetutës dhe ligjit, dhe me kërkesën që Këshilli, të tregojë shumë kujdes përgjatë veprimtarisë së tij”, thuhet në shkresën drejtuar Venecias. Por pavarësisht lëvizjeve të Metës, kandidatja në fjalë u skualifikua.
Argumentet e Tushës
Telashet e presidentit nuk marrin fund me kaq, pasi kryetarja e KED, i ka rrëzua pretendimet. Meta përmes një letre i kërkonte Tushës që të mos ndahet procesi për kandidatët, por të bëhet vlerësimi në një ditë. Por KED shprehet se nuk ka asnjë dispozitë që e ndalon të veprojë kështu duke rrëzuar Metën. Në faqen e KED, Tusha ka publikuar një letër me argumente, pas kritikave që janë bërë kohët e fundit, ku në një farë mënyre i përgjigjet dhe presidentit. “Asnjë dispozitë ligjore nga ato të lartpërmendura nuk vendos detyrimin për KED-në që të shqyrtojë në mënyrë të njëkohshme të gjitha kandidaturat për një vakancë në fazën e parë. Rregullimi ligjor është i ndryshëm në fazën e dytë, në të cilën kryhet vlerësimi dhe renditja e kandidatëve të lejuar për kandidim. KED-ja, në referim të nenit 239 të ligjit nr. 115/2016, duhet të thërrasë brenda një afati 5-ditor mbledhjen, në të cilën do të kryhet vlerësimi dhe renditja e kandidatëve që janë lejuar për të vazhduar konkurrimin dhe Këshilli qëndron i mbledhur deri në përfundimin e procesit të vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve, proces që duhet të përmbyllet jo më vonë se 10 ditë nga dita e mbledhjes”, thuhet në letër. Më tej, Tusha ka treguar edhe arsyen pse ka vepruar kështu, duke theksuar se KED do të vijojë punën për vlerësimin e kandidatëve me intensitet për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese sa më parë. “Ndarja e disa kandidaturave për shqyrtim në mbledhjen e datës 16.09.2020 është bërë mbi bazën e kohës së përfundimit të procesit të verifikimit dhe dërgimit të relacioneve të përfunduara nga ana e relatores. Në momentin që relacionet i janë përcjellë zv/Kryetarit nga relatori, është thirrur menjëherë mbledhja e radhës e KED-së për shqyrtimin e gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatët në garë dhe vendimmarrja lidhur me lejimin/ndalimin e kandidimit të këtyre kandidatëve. Këshilli, në respektim të procedurave dhe afateve ligjore të lartpërmendura, me shumë vullnet, ka vijuar dhe do të vazhdojë punën për përfundimin e vlerësimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidaturave të tjera në garë, si dhe renditjen e tyre, me qëllim të përmbushjes së funksionit thelbësor të tij në procesin e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në letër.