Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar dje një marrëveshje të rëndësishme që bën hapa përpara drejt Shengenit Ballkanik. Ministrat e Bujqësisë së Shqipërisë, Bledi Çuçi dhe ai i Maqedonisë Arjanit Hoxha nënshkruan dje Marrëveshjen e Bashkëpunimit në Fushën Fitosanitare që lidhet me shkëmbimin tregtar të produkteve bujqësore. Puna për këtë marrëveshje ka nisur një vit më parë dhe tashmë ajo u finalizua me synimet progresive në të. Pas nënshkrimit, ministri Çuçi tha në një deklaratë për mediat se përmes kësaj marrëveshje heq pengesat dhe rrit intensitetin e qarkullimit të produkteve bujqësore mes dy vendeve. Ndërsa theksoi këtu se kjo marrëveshje do të rrisë rendimentin e eksportit dhe konsumit të Shqipërisë, ministri theksoi se produktet e secilit vendet do të jenë të certifikuara për të evidentuar prejardhjen dhe përpunimin e tyre. “Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për krijimin e një korridori krejtësisht të lirë për qarkullimin e produkteve bujqësore në të dy vendet dhe një hap më tej drejt iniciativës strategjike të Shengenit Ballkanik për zhvillimin e rajonit tonë. Kjo marrëveshje nuk është gjë tjetër veçse bën të mundur që çdo ngarkesë me produkte bujqësore që shkon nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut apo anasjelltas, nuk do të ketë nevojë që në kufijtë reciprokë t’i bëhen analiza shtesë. Për produktet tona do të njihet certifikata fitosanitare e Shqipërisë, për produktet bujqësore të Maqedonisë së Veriut do të njihet certifikata fitosanitare e këtij vendi”, tha ministri. Sakaq bëhet me dije se, do vazhdojnë bashkëbisedimet me homologun maqedonas, Arjanit Hoxha edhe për dy marrëveshje të tjera me Republikën e Maqedonisë së Veriut. E para është Marrëveshja për Menaxhimin e Përbashkët të Qëndrueshëm të Peshkimit në Liqenin e Ohrit dhe Prespën e Madhe, si dhe Marrëveshja për Tregtimin e Kafshëve të Gjalla dhe Produkteve me Origjinë Shtazore, të cilat do të nënshkruhen gjatë një periudhe të mëvonshme pasi të finalizohet i gjithë diskutimi në nivel teknik mes palëve dhe të dakordësohen draftet.
Marrëveshja shkurton kohë dhe dokumente
Ndërkohë edhe ministri maqedonas, Arjanit Hoxha, vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshje, si një hap tjetër plus sikur edhe lehtësitë e mëparshme të krijuara mes dy vendeve për lëvizjen e njerëzve vetëm përmes kartës së identitetit. Hoxha tha se tashmë nuk do të ketë pengesa në kufij me orare të stërzgjatura për kalimin e produkteve shqiptare dhe anasjelltas. Sipas tij kontrolli dhe kalimi i tyre do të bëhet në pak orë. “Është një hap shumë i rëndësishëm drejt heqjes së barrierave të ndalesave kufitare sidomos për produktet që afatin e kanë pasur shumë të shkurtër, të cilat në të kaluarën kanë qëlluar që të presin edhe 48 orë në pikat doganore. Pas lëvizjes me letërnjoftime të njerëzve, ky është një hap i radhës shumë i rëndësishëm drejt krijimit të një tregu të përbashkët, që i paraprin integrimit të dy vendeve në Bashkimin Europian”, tha ministri Arjanit Hoxha. Sakaq bëhet me dije se, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në Fushën Fitosanitare me Maqedoninë e Veriut, Shqipëria do të bëjë të njëjtën gjë edhe me Republikën e Malit të Zi. Kjo marrëveshje njeh rezultatet e testeve dhe vlerësimit të laboratorëve, jo vetëm të akredituar, por edhe të autorizuar, duke bërë të mundur kalimin e ngarkesave në Pikat e Inspektimit Kufitar, pa vonesa dhe pa marrje mostrash shtesë. Këto lehtësi reduktojnë dokumentacionin dhe kohën e pritjes në kufi të kamionëve. Rrjedhimisht do të thotë më pak kosto për biznesin, më shumë rritje të volumit të shkëmbimeve tregtare.