“Topi bërthamor”, valixhja që përmban kodet e bombave bërthamore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u ngarkua në helikopterin Marine One bashkë me presidentit Donald Turmp, ndërsa ai u nis për në spitalin ushtarak ku po trajtohet pas diagnostikimit me koronavirus.
Udhëheqësi i Perëndimit nuk shkon askund pa valixhen në fjalë, që zyrtarisht quhet Çanta Presidenciale e Urgjencave, dhe një ndihmës ushtarak, në mënyrë që të mund të lëshojë bombat bërthamore ngado që të jetë.
Edhe diagnoza me koronavirus nuk mjafton për të ndërprerë këtë procedurë, e cila u vu në zbatim për herë të parë në vitin 1962, pas krizës kubane të predhave, në kohën kur president ishte John Kennedy. Në total, ekzistojnë 3 çanta të tilla, një e mban presidenti, një zëvednëspresidenti dhe një tjetër qëndron në Shtëpinë e Bardhë. Ushtarakët që e kanë të lidhur pas dorës së tyre janë të detyruar të qëllojnë me armë këdo që përpiqet t’ua marrë valixhen.
Ngjarja ndodhi pasi dy avionë ushtarakë me armatime bërthamore u panë të fluturonin në të dy brigjet amerikane, në ditën që Trump doli pozitiv në testin për Covid-19. Një avion Boeing E-6B Mercury u pa të fluturonte në bregun lindor pranë kryeqytetit, ndërsa tjetri në anën tjetër të vendit, në Oregon. Nuk munguan teoritë sipas të cilave fluturimet u organizuan për të paralajmëruar kundërshtarët që, pavarësisht presidentit të sëmurë, Shtetet e Bashkuara mbeten të forta, por burime ushtarake thanë se kjo ishte një rastësi, pasi fluturimet ishin programuar kohë më parë.