Një 48-vjeçar nga Vlora rezident në Angli është proceduar penalisht nga policia pasi iu sekuestruan një shumë e konsiderueshme parash në valutë.
Sipas policisë, kishte informacione se merrej me transport të vlerave monetare te padeklaruara dhe gjatë kontrollit në Kakavijë në mjetin tim furgon në fund të një çante u gjetën plot 15.450 paund dhe 2350 euro.
NJOFTIMI I PLOTE
Kakavijë
Kontrolle të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Si rezultat i kontrolleve, Policia Kufitare ka goditur një tjetër rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Sekuestrohen 15450 paund dhe 2350 euro.
Procedohet penalisht 48-vjeçari, poseduesi i shumave monetare.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Policia Kufitare se shtetasi B. M., nga Vlora, rezident ne Angli, merrej me transport të vlerave monetare te padeklaruara, mesditën e sotme në hyrje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. M., 48 vjeç, lindur në Vlorë dhe rezident në Angli.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin furgon, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën në fundin e një çante, 15450 paund dhe 2350 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, u procedua penalisht shtetasi B. M., për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.