Përfundimi i vitit të dymbëdhjetë të gërmimeve arkeologjike në parkun arkeologjik të Orikut, nga projekti arkeologjik i Institutit të Arkeologjisë së Tiranës dhe Universitetit të Gjenevës zbuloi disa monumente antike, unik nga pikëpamja e arkitekturës dhe mjaft të rëndësishëm për të kuptuar historinë dhe urbanistikën e qytetit antik. Në këtë projekt, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë shprehet se ka bashkëpunuar në vijimësi për mbarëvajtjen e gërmimeve arkeologjike, ku për vitin e ardhshëm, planifikohet të realizohen ndërhyrje të tjera, me karakter konservues në monumentet kryesore dhe një vëmendje e veçantë do ti kushtohet kishës mesjetare. “Synimi i këtij bashkëpunimi, do të jetë ndërtimi i infrastrukturës së posaçme, për të bërë të vizitueshëm monumentet e dala nga gërmimet arkeologjike, si dhe përditësimin e sinjalistikës me informacion të ri”, bën me dije Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë. Parku arkeologjik kombëtar i Orikumit përmendet për herë të parë nga gjeografi dhe historiani grek Skylaksi, shek. VI-V p.krishtit në veprën “Lundrimi”, qyteti i Orikut, port detar në Jon dhe Adriatik. Sipas legjendës, fisi pellazg i Eubeasve, pas shkatërrimit të Trojës, kthehen nga kanë ardhur në tokat ë të parëve dhe themelojnë qytetin e Orikut. Teatri antik i Orikut ndërtuar në shek III-II p.Krishtit është identik me teatrin e Trojës. Kapaciteti i teatrit shkon nga 400-600 spektatorë. Në jug perëndim të teatrit, ndodhet altari. Në faqen lindore të Akropolit zbresin dy palë shkallë të gdhendura në trupin shkëmbor të kodrës, me gjerësi 2.5 metra, që kufizojnë ambiente godinash publike, të gdhendura thellë në gurë me dimensione të ndryshme. Pusi antik nr. 1 është i gdhendur në trupin shkëmbor të Akropolit. Thellësia e tij shkon 20-23 metra. Përdorej për ujë të pijshëm në raste kur ujësjellësi binte në dorë të armikut. Pusi antik nr. 2 është më i ruajtur. Gërmimet e viteve të fundit kanë nxjerrë në sipërfaqe element të fortifikimit të antikitetit të vonë, siç është rasti i një kulle të kësaj periudhe në tarracën lindore. Një tjetër monument i vizitueshëm është kisha mesjetare e zbuluar nga gërmimet e viteve 2016-2017, në pjesën e akropolit. Të gjithë elementët historik, arkitektonik dhe peizazhi unik ku është vendosur siti, midis lagunës, detit dhe gadishullit të Karaburunit si dhe elementët arkeologjik, që dalin në vijimësi nga gërmimet e bëjnë këtë park arkeologjik një nga më interesantët për t’u vizituar.







































