Google search engine
Home Aktualitet Ikona Shën Maria me Krishtin nga veprat më identifikuese të muzeut “Onufri”

Ikona Shën Maria me Krishtin nga veprat më identifikuese të muzeut “Onufri”

0
794

Në ikonostasin e Katedrales “Fjetja e Shën Marise”, sot muzeu ikonografik “Onufri”, tre prej ikonave mbretërore i atribuohen mjeshtrit Onufri në shekullin e XVI. Qendra Muzeore Berat shprehet se të tre veprat, të cilat janë në këtë ikonostas janë realizuar me teknikën e temperas në dru me të verdhë veze. “Ikona e Shën Marisë me Krishtin në krahun e djathtë është e tipit Hodigitria (udhëheqëse). Ajo është një nga veprat me identifikuese të muzeut “Onufri” dhe krijimtarisë së mjeshtrit. Aty paraqitet imazhi i Shën Marisë në gjysme busti, e cila dominon pjesën më të madhe të ikonës, duke mbajtur në krahun e djathtë Krishtin fëmijë i identifikuar si shpëtimtari. Kurse imazhi i Krishti paraqitet i plotë ku me dorën e djathtë bekon dhe me të majtën mban një pergamenë të hapur, simbol i lajmit të mirë dhe realizimit të profecisë, mbi ardhjen e Shpëtimtarit, bazuar në testamentin e vjetër”, shprehte qendra muzeore. QMB vijon se në pjesën e sipërme të skenës dallojmë imazhet e dy engjëjve për secilin skaj, të pikturuar brenda dy rrathëve, ndërsa në pjesën e poshtme ikona dekorohet nga një brez i pikturuar me motive floreale mbi flete ari tipike tek autori Onufri. “I gjithë sfondi i saj është mbuluar, sipas shume hipotezave, në një periudhë të mëvonshme me fletë argjendi të dekoruar nga një dorë anonim. Vepra dominohet nga ngjyrat e freskëta, kontrastet e forta, eleganca e siluetit dhe drapërisë stilizuar mbi fletën e arit. Sipas historianeve të artit, në ikonat e mjeshtrit Onufri ndihet influenca e shkollave të perëndimit dhe me saktë e asaj Kreto -Veneciane. Kjo ikonë ka qenë e ekspozuar në Nice të Francës më 1993; në Mynih të Gjermanisë më 2001; në Ancona dhe Vicenza të Italisë më 2002, në Bari të Italisë më 2009, në Romë dhe Torino më 2012”, shprehet Qendra Muzeore Berat, që ka publikuar dhe foton e veprës. Ikona e Shën Marisë me Krishtin në krahun e djathtë është pjesë e koleksionit të ekspozuar në muzeun e ikonografisë “Onufri”, një nga vendet që ngjall shumë interesin e vizitorëve të ndryshme në qytetin e Beratit. Muzeu i ikonografisë “Onufri” në Berat është përshtatur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek.XVI.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here