Bavarezët fituan 2-1, por vendimtar ishte goli i Havi Martinezit në minutën e 104-t. Gjermanët e nisin sezonin me trofe të madh. Spanjollët thyen vetëm në shtesë
Bajerni i Mynihut është mbret i futbollit europian. E konfirmoi dhe një herë tjetër mbrëmë pasi mundi Seviljen pas 120 minutash lojë në Hungari, në duelin për Superkupën e Europës. ishte një ndeshje me shikueshmëri rekord, nisur dhe nga fakti se për këtë edicion ishte takimi i parë ku lejoheshin spektatorët. Një ndeshje spektakolare në të gjitha drejtimet, e dominuar nga Bajerni sigurisht, por me një Sevilje që luftoi me shpirt ndër dhëmbë deri në sekondën e fundit. E në fund, Bajerni ngriti lart trofeun. Sa i takon ndeshjes, Bajerni i Mynihut dhe Sevilja patën fatin në këtë edicion të ri të ballafaqoheshin në fushë me praninë e tifozëve, edhe pse jo në kapacitetin maksimal të stadiumit kryesor të Hungarisë. Përplasja e tyre në kuadër të Superkupës së Europës nuk i zhgënjeu kritikët dhe sportdashësit, pasi ishte një duel i nivelit të lartë, ku në fushë u ndeshën fituesi i Champions League (bavarezët) me fituesin e Europa League (spanjollët). Gjermanët shiheshin favoritë, por në fushë në minutat e para befasoi Sevilja, e cila fitoi një penallti në minutën e 12-të, dhe që e shndërroi në gol Ocampus. Ishte befasuese për Bajernin e Mynihut të pësonte gol që në minutat e para, kur dihet që Sevilja është skuadër me një mbrojtje mjaft të fortë dhe një skuadër pragmatiste në sulm, gjë që e ka dëshmuar dhe në të shkuarën e veçmas në finalen e Europa League përballë Interit. Përpjekjet e Bajernit në fazën ofensive nuk dolën huq, pasi në minutën e 37-të ishte Goretzka, që i shërbyer si duhet nga Levandovski barazoi shifrat 1-1, duke balancuar rezultatin pa u mbyllur pjesa e parë. Në pjesën e dytë Bajerni e nisi menjëherë në sulm dhe arriti të shënojë me anë të Levandovskit në minutën e 50-të, por pozicioni i polakut pas shërbimit nga Tomas Myler ishte i parregullt dhe VAR e anuloi atë për pozicion jashtë loje. Pas këtij momenti të dyja skuadrat përpiqen të ndryshojnë strategji në mënyrën e lojës. Bajerni rriti peshën sulmuese për të gjetur fitoren brenda 90-minutëshit, sikurse Sevilja shtoi forcat mbrojtëse për të rezistuar sa më gjatë dhe për ta lodhur ekipin gjerman. Saktësia në veprime është në shkallën më të lartë, por goli mungon dhe kjo i bëri kampionët e Gjermanisë të shpërdorojnë jo pak në finalizimin e aksioneve, duke mos depërtuar dot drejt rrjetës kundërshtare. Ndërkohë që Bajerni e mbërtheu Seviljen në zonën e saj, në minutën e 88-të mund të kishte ndodhur surpriza e madhe. Në kundërsulm spanjollët mund të kishin fituar ndeshjen, pasi Nesiri doli i vetëm përballë Nojerit, kishte kohën e duhur për ta çuar në rrjetë, por portieri gjerman bëri mrekullinë, duke devijuar në korne. Si përfundim ndeshja e rregullt, mbyllet në barazim 1-1. U luajt koha shtesë 30-minutëshe. Në minutën e 104-t erdhi momenti kulminant i takimit, pasi një goditje këndi krijon mundësinë e golit. Portieri i Seviljes nuk kontrollon dot si duhet topin dhe sfera përfundon tek koka e Martinezit, i cili ndodhet në momentin dhe vendin e duhur, duke e përcjellë në rrjetë. Në vijim s’pati më gol dhe mjaftoi pikërisht goli i spanjollit Martinez që i dha Bajernit trofeun e Superkupës së Europës.










































