Grupi i punës për hartimin dhe propozimin e amendamenteve që reflektojnë ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor është mbledhur sot.
Tre anëtarët e saj Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Korab Lita u njohën me propozimet e mbërritura, ndërsa grupit iu la kohë deri më 30 shtator për të mbyllur draftin.
Përfaqësuesi i opozitës parlamentare Korab Lita shprehu disa rezerva mbi propozimet e paraqitura dhe kërkoi më shumë kohë në dispozicion për të depozituar në këtë grup pune propozimet e tij në emër të opozitës parlamentare.
Grupi u dakordësua që të vazhdojë punën dhe të rimblidhet gjatë pasdites së sotme për tu njohur me propozimet e z.Lita, në kërkim të arritjes së konsensusit sa më të gjerë për amendamentet e Kodit Zgjedhor.









































