Mëngjesin e sotëm përmbaruesi Baftjar Nela u qëllua me thikë teksa kishte shkuar për të dorëzuar njoftimin për masë sigurie në banesën e Aleksandër Camandioti.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 1 të Sarandë. Baftjar Nela u dërgua në spital për të marrë ndihëm mjekësore.
Ndërkaq, bashkëshortja e Aleksandër Camandioti, Vjollca ka dhënë detaje për ngjarjen. Ajo thotë se në derë i trokiti përmbaruesi dhe ndërtuesi i pallatit.
“Ishe ora 07:30, ne flinim gjumë, që binte porta, i binin me shkelma se nuk kemi zile. U çua burri dhe më pas unë. I tha burri; çfarë doni?! “Firmosni këtu se sot do ikni nga shtëpia”, tha përmbaruesi. Ndërkohë burri i tha se; ‘Ne jemi në apel, të premten kemi apeluar. Si mund të dal sot, kur ju nuk më keni njoftuar?!’. Kaq ishte, nisën të kapeshin me fjalë. Na provokuan. Ai ndërtuesi tha; Pabuksa do ikni nga shtëpia ime”. Burri im i thotë; “Kjo është shtëpia ime, s’më keni borxh e as nuk ju kam”. Ata i thoshin burrit; “ik o pabuks”. Më pas u nevrikosën dhe burri më tha; “ik në dhomë”. Nuk pash më ça ndodhi.”, rrëfeu Vjollca.
Më tej ajo shprehet se bashkëshorti në mirëbesim i ka dhënë ndërtuesit të pallatit 72 mijë euro, me premtimin se do të merrte dy apartamente kur objekti të përfundonte.
Po ashtu ajo thotë se nuk e ka parë që bashkëshorti të plagosë përmbaruesin.
Ndërkaq, Baftjar Nela nuk është një emër i panjohur. Në vitin 2017 ai është ndaluar nga policia, pasi në kundërshtim me ligjin, ai i kishte bllokuar tre prona private, edhe pse vetë i ishte hequr licenca.
Sipas njoftimit të policisë në atë kohë, pronat e bllokuara nuk kanë qenë në proces gjyqësor.









































