Zbardhet vendimi/ Si do të bëhet rivlerësimi i personave me aftësi të kufizuara, procedurat dhe afatet

0
368

Qeveria ka vendosur të ndryshojë ligjin për përfitim kempi nga personat me aftësi të kufizuar. Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se rivlerësimi i personave që kanë aplikuar për kemp mund të bëhet edhe pa praninë e tyre. Ndërsa në rastet ku shihet e nevojshme prania e aplikantit ai do të njoftohet jo më vonë se 30 ditë dhe nga aty bëhet vlerësimi nëse ka nevojë për kujdestar ose jo dhe afatet e përfitimit. “Rivlerësimi i personave me aftësi të kufizuara bëhet bazuar në dokumentacionin pa praninë fizike të personit me aftësi të kufizuara. Komisioni, në rastet kur nuk mund të marrë vendim vetëm bazuar në dokumentacionin e paraqitur ka të drejtë të thërrasë personin me aftësi të kufizuara për t’u paraqitur fizikisht në komision. Paraqitja në komision do të bëhet jo më vonë se 30 ditë nga data që do të realizohej vlerësimi me dosje”, thuhet në vendim. Ky është vlerësimi i parë, më pas menjëherë dosjet i dorëzohen KMCAP, ku verifikohet dokumentacioni dhe ruhet si vërtetim. “Administratori shoqëror e dërgon dokumentacionin brenda 24 orëve pranë mjekut të Shërbimit Social Shtetëror dhe listën emërore të personave që do të vlerësohen apo do të rivlerësohen, pranë KMCAP-së. Mjeku i Shërbimit Social Shtetëror verifikon nëse dosjet e paraqitura janë të plotësuara me dokumentacionin përkatës dhe, më pas, i përcjell ato në KMCAP”, thuhet në vendim. Ndërsa sqarohet më tej se dosjet e personave me aftësi të kufizuara, që nuk përmbajnë dokumentacionin për rivlerësim në KMCAP në datën e rivlerësimit, ruajnë të drejtën e rishqyrtimit gjatë periudhës tremujore në vazhdim. Kur dokumentacioni paraqitet brenda kësaj periudhe, e drejta e përfitimit ruhet edhe për periudhën e prapambetur. Sakaq theksohet se pa miratimin e KMCAP eprore vendimi nuk hynë në fuqi, por kjo e fundit nuk ka të drejtë të ndryshoj të dhëna nga vendimi. “Vendimi i KMCAP-së eprore të specializuar nuk mund të ndryshohet nga KMCAP-ja e nivelit të parë. Në ato raste kur KMCAP-ja e nivelit të parë gjykon se kërkuesi paraqet gjendje shëndetësore të rënduar dhe bën objekt për të ndryshuar kushtet e përfitimit, ai merr vendim duke argumentuar edhe arsyen e këtij ndryshimi. Në këto raste, pavarësisht vendimit të KMCAP-së të nivelit të parë, vendimi do të hyjë në fuqi vetëm pas miratimit të KMCAP-së eprore të specializuar”, theksohet në vendim. Ndërsa kur anëtarët e KMCAP-së eprore kanë mendime të kundërta, vendimi merr formën e prerë me shumicë votash.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here