Ish-deputeti i PS Gjetan Gjetani ka folur për herë të parë, pasi vjehrri i tij, Hasan Mira, u vetëflijua duke u hedhur nga kati i katërt i spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ ku ishte shtruar pasi ishte infektuar me Covid-19.
Gjetani tregoi për ABC News se ai gëzonte një shëndet shumë të mirë dhe se e ka kuptuar me shumë vonesë se ishte i prekur me COVID-19.
Po ashtu ai ngriti dy shqetësime, ndërsa theksoi se në spital nuk duhet të mungojë psikiatri dhe se personat e prekur me koronavirus, nuk duhet të shtrohen në katin e katërt.
“Ishte një rrufe në qiell të hapur. Gëzonte një shëndet shumë të mirë. Nga sa më kanë thënë mjekët, kishte mbi dy javë i infektuar. Ka pasur një fizik shumë të mirë dhe nuk e ka kuptuar sëmundje. Sipas mjekëve është konstatuar shumë vonë. Për shërbimin e mjekëve nuk kam asnjë ankesë, por të themi realitetin dhe të jemi të sinqertë nga ana e qeverisë ka shumë mangësi. Në Sanatorium nuk ka një psikiatër, njerëzit me probleme të tilla nuk mund të shtrohen në katin e katërt. Duhet të merren masa që persona me probleme të tilla të shtrohen në katin e parë. Ishte në një gjendje të mirë shëndetësore, COVID-19 nuk e ka kuptuar fare, kishte mbi dy javë. Doktorët e Burrelit nuk e kanë zbuluar këtë sëmundje. Por kur ka bërë një vizitë në Sanatorium është konstatuar me koronavirus”, u shpreh ai.
Mjekët kanë thënë që COVID-19 i ka shkaktuar dëmtime në tru?
Gjetani: Sipas mjekëve COVID-19 godet organizmin njeriut në pikën më të dobët. Ka persona që i ka goditur në mushkëri. Në rastin konkret i ka goditur sistemin nervor. Kur unë e kam takuar ka qenë shumë mirë, nuk arrita ta besoj. Në spital kam hyrë, e kam parë me sytë e mi, kam parë edhe angazhimin e përkushtuar të mjekëve. Janë vërtet heronj, pasi përballen edhe me problemet e qytetarëve.
Kishte shfaqur shenja agresiviteti më parë?
Gjetani: Jo, vetëm të mërkurën në mëngjes i ka shfaqur këto probleme.








































