Short “ferri” në Europa League/ Kukësi përballë Volsfburgut, Teuta kundër Granadës

0
277

Në Nion të Zvicrës, u hodh dje shorti për turin e dytë eliminator të Europa League, fazë në të cilën marrin pjesë plot 6 klube shqiptare, Kukësi, Laçi e Teuta nga Kategoria Superiore, Shkëndija e Renova nga Maqedonia e Veriut dhe Drita nga Kosova, të cilat njohën edhe kundërshtarët me të cilët do të përballen. Kështu Teuta, pasi kaloi me sukses izraelitët e Beitar Jerusalem, do të përballet në turin e dytë me spanjollët e Granadës, ndërsa goglat përcaktuan pikërisht skuadrën durrsake si pritëse, me ndeshjen që do të zhvillohet në “Niko Dovana” më 17 shtator. Një tjetër përballje shqiptaro-izraelite do të ketë edhe në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, pasi Laçi shmangu anglezët e Totenhemit dhe do të diskutojë kualifikimin përballë Hapoel Ber Sheva, me sfidën që do të luhet në Shqipëri, më 17 shtator. Short mjaft i vështirë për Kukësin e Skënder Gegës, që do të luajë sërish si pritëse, por do të gjejë përballë gjigantët gjermanë të Volfsburgut, që ishin edhe kundërshtari më i fortë i mundshëm. Ndërkohë, Shkëndija e Tetovës do të luajë sërish në transfertë, këtë herë përballë rumunëve të Botoshanit, ku do të ketë një tjetër shans të mirë për të vijuar aventurën europiane. E pafat skuadra e Renovës, pranë Tetovës, do të presë kroatët e Hajdukut të Splitit, në sfidën që do të zhvillohet më datën 17 shtator në kryeqytetin e Maqedonisë Veriore, Shkup.

Gjici: Asgjë s’është e pamundur

Për presidentin e Kukësit, Safet Gjici, asgjë nuk është e pamundur dhe i kërkon skuadrës së tij kualifikimin në raundin e tretë. Në fund kur pyetet për premio, presidenti rezervon një batutë për kuksianët. “Tani kuptohet që shorti është i vështirë, por në futboll asgjë nuk është e pamundur. Nuk e dimë gjendjen e ekipit të Volfsburgut, por dihet që janë ekip i fortë dhe mbi të gjitha është ekip gjerman. Kukësi duhet ta vlerësojë. Natyrisht nuk ka asgjë të lehtë, edhe në turin e parë nuk ishte e lehtë. Kam bindje dhe besim që stafi dhe lojtarët do ta marrin seriozisht dhe pse jo të kualifikohemi. Ekipi është i plotësuar tashmë, por themi që 1-2 afrime cilësore mund të bëhen. Natyrisht lojtarë cilësorë dhe që bëjnë diferencën. Besoj që këto ditë mund të vijnë lojtarë. Disa lojtarë kanë pasur probleme për shkak të pandemisë. Turi i parë tregoi që Kukësi ka stofin për titull. Bëmë ndeshje të mirë. Do të kishim dëshirë që të binte një nga 2 ekipet e tjera. Avantazh është që luajmë brenda. Edhe Crvena Zvezda ishte ekipi i mirë, por Tirana e meritoi kualifikimin. Edhe ne do mundohemi. Dihet çfarë vlerash ka Volfsburg, por edhe ne kemi vlerat tona. Në fushë luajmë 11 kundër 11. Kështu që duhet ta kalojmë këtë tur dhe të vazhdojmë në turin tjetër”, theksoi Gjici. Më pas numri një i klubit kuksian, kujtoi se do të ketë bonuse, një premio që ai e quajti standarde. “Normalisht do ketë bonuse dhe nuk i kanë munguar ndonjëherë. Do jetë premio standarde, e dinë ata. E rëndësishme është që të luajmë futboll dhe të japim maksimumin. Trajner Gega e ka në dorë të ndërtojë formacionin. E rëndësishme është të përqendrohemi fort te kjo ndeshje, sepse është mirë ta kalojmë turin. Është mirë për të ardhurat që merr klubi, edhe për paratë që marrin futbollistët. Uroj të kemi fatin me vete”, u shpreh Gjici.

Laçi, kundërshtar të njohur

Laçi nuk do të ketë përballë një emër të panjohur, përkundrazi e di mirë forcën e kundërshtarit. Kjo për arsye se goglat vendosën që kurbinasit të përballeshin sërish me izraelitët e Hapoel Ber Sheva. Një ndeshje e cila është vënë në skenë edhe në vitin e kaluar po në Europa League. Një sfidë atëherë me dy takime, nga të cilat Laçi humbi një dhe u detyrua të dilte jashtë kompeticionit për shkak se në ndeshjen e parë në transfertë e kishte mbyllur me rezultatin 1-0, ndërsa në shtëpi 90 minutat përfunduan 1-1. Kështu, ishin miqtë që avancuan për më tej edhe pse në fushë nuk ishin më të mirë se kurbinasit. Por, tashmë do të jetë një tjetër histori. Ndeshja luhet me një takim dhe do jetë në fushën e Laçit, ndërsa ekipi shqiptar i ka të gjitha mundësitë për të kaluar më tej.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here