Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës me gazetarët ka folur dhe për çështjen e detit me Greqinë dhe deklaratën e homologut të tij grek, Mitsotakis për zgjerimin me 12 milje me Shqipërinë.
Për kryeministrin Rama ajo deklaratë nuk ka lidhje me ujërat tanë territorialë.
“Nuk kam parë asgjë. Deklarata e Mitsotakis për zgjerimin me 12 milje, nuk ka lidhje me ujërat tanë territorialë. Ne po punojmë por nuk e kemi arritur këtë ende me palën greke. Shtrirja në 6 milje plus në ujërat territorialë është një e drejtë e çdo vendi. Këtë të drejtë Shqipëria e ka ushtruar, ne jemi shtrirë ndërkohë me 6 milje që prej 1990. Greqia nuk e ka kontestuar dhe s’ka çfarë konsteston. Ata që pyesin ku po shtrihet Greqia, iu them, që mes ujërave territorialë, ka ujëra të ndërmjetme, shelf kontinetal. Ka rrugë edhe për të kaluar në det që janë rrugë të përbashkëta. Mosmarrëveshjen e kemi për ujërat territorialë, pasi nuk kemi dakordësim për këtë çështje. Hartat që kanë dalë, njësoj si harta që do të copëtohej Kosova, apo harta si do të shtrihet Shqipëria apo Serbia tej vetes janë spekulime. Që një marrëveshje ndërshtetërore nuk bëhet dot fshehurazi. E kam thënë këtë disa herë, nuk bëhet dot fshehurazi. Marrëveshja kalon në të gjitha etapat institucionale dhe bëhet ligj”, tha Rama.