Tre autorë shqiptarë në festivalin letrar “Passaggi”, në Itali

0
484

Festivali letrar “Passaggi”, në edicionin e radhës vjen me histori e romane mes Italisë dhe Shqipërisë. Qendra e Botimeve për Diasporën shprehet se tre autorë të vlerësuar nga kritika italiane dhe ajo shqiptare, Arben Dedja, Elvis Malaj, Durim Taçi, janë të ftuarit e këtij festivali të planifikuar për t’u mbajtur në Fano, nga data 26 deri në datën 30 gusht. “Shkurtin e kaluar, vetëm disa ditë para bllokimit, Giovanni Belfiori dhe Ludovica Zuccarini, drejtori dhe zëvendësdrejtori i ngjarjes kulturore letrare italiane “Passaggi festival”, të ftuar nga drejtoresha e Qendrës së Botimeve të Diasporës znj. Mimoza Hysa, morën pjesë në Takimin e Shkrimtarëve të Diasporës në Tiranë. Takimi me këta shkrimtarë, mjaft prej të cilëve banojnë në Itali, u bë baza e programit të vitit 2020 të këtij festivali që këtë vit flet shqip. Tashmë janë planifikuar tri takime me katër shkrimtarë të huaj, tre nga Shqipëria, Elvis Malaj, Arben Dedja, Durim Taçi, dhe një nga Polonia, Dagmara Bastianelli”, shprehet Qendra e Botimeve për Diasporën, që ka publikuar dhe një material në faqen e saj për festivalin letrar. Qendra e Botimeve për Diasporën u krijua një vit më parë, ku gjatë kësaj kohe ka vazhduar me bashkëpunime me aktivitete, që zhvillohen jashtë dhe marrin pjesë dhe autorët shqiptarë. Qendra e Botimeve për Diasporën shprehet mes të tjerave se prania e autorëve shqiptarë në këto festivale është në vijim të projekteve qeveritare. “Prania e autorëve shqiptarë në festivalet e huaja letrare është një nga projektet, që qeveria e tokës së shqiponjave po kryen përmes Ministrit të Diasporës dhe në veçanti përmes Qendrës së Botimeve për Diasporës, e cila u krijua vetëm një vit më parë. Bashkëpunimi me “Passaggi Festival”, që vijoi me pjesëmarrjen e këtyre autorëve në ngjarje është hapi i parë në këtë drejtim”, shprehet QBD. Një ngjarje e rëndësishme për festivalin dhe për institucionet shqiptare, ku do të jetë e pranishëm në Fano ambasadorja shqiptar në Itali, Anila Bitri Lani, e shoqëruar nga atasheu kulturor Ledia Mirakaj, mysafirë të festivalit të shtunën më 29 gusht, thuhet ndër të tjera në shkrimin e botuar në faqen web të festivalit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here