Shkrihet KQZ/ Brenda 19 tetorit gati struktura e re që do të administrojë zgjedhjet

0
319

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor do të nisë edhe shkrirja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike tashmë do të hedhin hapin e radhës që është riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zgjedhja e anëtarëve të tyre. Për këtë arsye mësohet se gjatë këtyre ditëve të fundit të gushtit, Kuvendi do të shpallë thirrjen publike për juristët që duan të aplikojnë për vendin e komisionerit shtetëror të zgjedhjeve që i takon mazhorancës, nënkomisionerit që i takon opozitës dhe 10 anëtarët e komisionit rregullator dhe komisionit të ankimeve, të cilët ndahen 6 për Partinë Socialiste dhe 4 për PD dhe LSI. Por me dispozitat e reja që janë miratuar, mandati i anëtarëve aktualë ndërpritet. Ndërkohë ata do të qëndrojnë në detyrë deri ditën e zgjedhjes së Komisionerit. Një strukturim i tillë i KQZ-së ka ardhur pas marrëveshjes së nënshkruar mes mazhorancës, opozitës jashtëparlamentare dhe asaj parlamentare më 5 qershor dhe të votuar në fund të Korrikut në Kuvend. Tashmë KQZ do të ketë në përbërjen e tij, një komisioner të ri, ndihmëskomisioner dhe dy trupave të reja që do të zgjidhen ditët në vijim. KQZ-ja e re do të përbëhet nga 3 organe drejtuese: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve me mandat 7-vjeçar të përsëritshëm, Komisioni Rregullator me 5 anëtarë dhe mandat 5-vjeçar, si dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, gjithashtu me 5 anëtarë, por me mandat 9-vjeçar. Edhe nën-komisioneri që do të ndjekë çështjen e identifikimit elektronik, do të ketë një mandat 7-vjeçar. Sipas ligjit, afati final që KQZ të nisë punë është 60 ditë dhe deri në 19 tetor vendi do të ketë KQZ-në e re .

Ja si do funksionojë KQZ

Organet drejtuese të KQZ-së që parashikon projektligji janë: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve është organ monokratik që ushtron kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët. Komisioni Rregullator (Rregullatori) është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet. Rregullatori funksionon me kohë të pjesshme. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor. KAS-i funksionon me kohë të pjesshme.

Identifikimi elektronik

Po ashtu, Kodi parashikon që në zgjedhjet e ardhshme do të bëhet identifikimi elektronik i zgjedhësve në qendrën e votimit në të gjithë Shqipërinë dhe krijon hapësirën e nevojshme që KQZ të mund të ndërmarrë edhe projekte pilot për çështjet e votimit dhe numërimit elektronik. Kodi parashikon postin e Nënkomisionerit të zgjedhjeve si një funksion i dedikuar plotësisht përgatitjes së paketës së akteve nënligjore për këtë qëllim dhe më pas zbatimit të saj në praktikë për zgjedhjet e radhës. Po ashtu, Kodi i jep zgjidhje ligjore problematikës më emergjente që kanë dispozitat aktuale në fuqi dhe zbatimi i tyre në praktikë dhe në disa raste, plotëson rekomandimet e projekteve specifike të ndërmarra nga organizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Shqipëri. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor forcojnë më tej çështjen e zbatimit të kuotës 2 gjinore në Kuvend dhe këshillat zgjedhore nëpërmjet garantimit me mekanizma detyrues efikas më të fortë për zbatim. Një prej ndryshimeve thelbësore në këtë Kod është riformatimi i KQZ, i cili është institucioni përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, dhe që drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e administratës zgjedhore, monitoron veprimtarinë e subjekteve zgjedhore, organeve dhe institucioneve shtetërore, si dhe të medias në raport me zgjedhjet, si dhe zgjidh në rrugë administrative kërkesat apo ankesat që kanë lidhje me procesin zgjedhor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here