U arrestuar si i dyshuar kryesor për ekzekutimin e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës, në muajin mars. Apeli i GJKKO ka dalë me vendimin që ka lënë sot në fuqi masën “arrest me burg” për Altin Ndocin.
Ndoci ka deklaruar në gjykatë se vëllezërit Haxhia i ka pasur miq dhe nuk ka pse të hetohet për vrasjen, e për këtë arsye, kishte bërë kërkesë për zëvendësim mase sigurie.
Më herët, avokati i Ndocit, tha se klienti i tij kishte lidhje shoqërore, miqësore dhe familjare me viktimat madje kishte qenë edhe në varrimin e tyre, si dhe në të tretat.
Për avokatin Sajmir Visha, Ndoci nuk është autor i kësaj vepre të rëndë penale për të cilën akuzohet.
Kush jane viktimat
Mësohet se dy vëllezërit janë me origjinë nga Puka dhe prej kohësh jetojnë në lagjen nr. 7, në Spitallë. Besmir Haxhia, 36 vjeç, dhe vëllai i tij më i vogël, Voktor Haxhia, 27 vjeç, rezultojnë me disa biznese në këtë zonë. Sipas informacioneve nga Policia, bizneset që dy vëllezërit kanë, janë një lavazh, një Exchange dhe një kompani “BVAUTO”, me shërbim karrotreci dhe dhënie me qira të automjeteve. Të gjitha këto biznese, rezultojnë në emër të 27-vjeçarit Viktor Haxhia. Ky i fundit rezulton të jetë diplomuar një vit më parë për avokat, ndërsa ishte anëtar i Dhomës së Avokatisë në Durrës. 27- vjeçari nuk rezulton të ketë ndonjë të shkuar kriminale, çka mund të sillte edhe ngjarjen e djeshme.
SI U VRANË
Vëllezërit ishin duke kaluar me makinë në momentin që kanë rënë në pritë, duke u qëlluar me breshëri armësh. Autorët dyshohet se kanë qenë dy. Kanë qenë banorët e zonës që kanë dëgjuar të shtënat, duke lajmëruar Policinë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40 te tregu i makinave, në Shenavlash, te zona e Nishtullës.