Gjykata e Tiranës ka rrëzuar dje padinë e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla për kthim të hetimeve për kreun demokrat Lulzim Basha për çështjen e lobimeve ruse. Gjykata në argumentin e saj shprehet se për këtë çështje nuk është dorëzuar asnjë provë e re dhe për rrjedhim ka mbyllur çështjen për kreun e selisë blu. Më herët edhe Gjykata e Apelit kishte vendosur pushimin e hetimeve ndaj Lulzim Bashës, Ilir Dervishit dhe Arben Ristanit të dyshuar për falsifikim dokumentesh. Çështja nisi në 2017 kur “Stoning Strategies” deklaroi se kishte marrë dy pagesa nga PD dhe një të tretë nga “Biniate Trade”, pagesa që sipas akuzës nuk ishin deklaruar në KQZ. Por gjykata i hodhi poshtë dyshimet me argumentin e pavlefshmërisë dhe mos provueshmërisë. Për pushimin e hetimeve kreu i grupit parlamentar kërkoi revokim. Ndërkohë, gjykata e kryeqytetit shton se pala paditëse nuk legjitimohet si palë e interesuar. Gjykata insiston se të gjitha faktet e renditura në padi janë shqyrtuar në vendimet e mëparshme dhe se nuk ka asgjë të re. Ky vendim pritet t’u komunikohet palëve të interesuara sëbashku me arsyetimin juridik që mbyll përfundimisht dosjen për lobimin rus për të cilin akuzohet Basha. Prokuroria e kishte marrë nën hetim Bashën dhe dy zyrtarë të tjerë të PD, pasi sipas saj kishte gjetur elementë të veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Prokuroria pretendonte se kishte një mospërputhje mes deklarimeve zyrtare të bëra nga PD dhe shpenzimeve reale. Sipas prokurorisë, PD ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh. “Nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD. Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade”, pretendonte Prokuroria e Tiranës.









































