Rektori nën largim i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni po penalizon të ardhmen e qindra studentëve duke bllokuar diplomat e tyre. Ditën e djeshme një grup studentësh nga Fakulteti i Ekonomisë në UT, kanë firmosur një peticion për Rektoratin, pasi rektori i UT, Mynyr Koni ka bllokuar firmosjen e diplomave të tyre, si pasojë e konfliktit personal që ka me dekanin e FEUT. Sakaq sipas burimeve të gazetës dekanati i FEUT do të mblidhet sot në lidhje me peticionin e dorëzuar. Si pasojë e kësaj përplasje, shumë studentëve po iu vështirësohet marrja e diplomave duke ndikuar kësisoj në vijimësinë e studimeve të tyre ose në punësimin e tyre. Bëhet fjalë për 315 studentë të FEUT, të ciklit të dytë Master, të cilët i kanë ndjekur studimet në periudhën 2017-2019. Bllokimi i diplomave të tyre ka nisur që në nëntor të vitit 2019. 315 diploma janë dërguar për t’u firmosur nga Mynyr Koni, por sipas informacioneve Koni ka firmosur vetëm 90 prej tyre. Për rreth tetë muaj diplomat e këtyre studentëve janë të bllokuara prej rektorit Mynyr Koni. Sipas FEUT, Mynyr Koni është duke ecur me ligjin e vitit 2015 dhe jo sipas ligjit të ri të Arsimit të Lartë. Sipas ligjit të ri, përzgjedhjet e studentëve bëhen fillimisht nga Departamenti dhe më pas nga Dekanati, që përkthehet se Rektorati dhe rektori, në rastin konkret Mynyr Koni, nuk ka rol në procesin e pranimit dhe të diplomimit.
Reagimi i FEUT
Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës ka bërë një njoftim në lidhje me problematikën që kanë ngritur studentët, ku sqaron se organi që ka krijuar bllokimin e diplomave është Rektorati. “Përcaktimet nga Statuti i Universitetit të Tiranës, miratuar më 16.12.2009, i ndryshuar me Vendimet e Senatit Akademik. Neni 25, pika 10 përcakton se: Rektori nënshkruan diplomat e ciklit të parë, të dytë pa të drejtë për ta deleguar nënshkrimin. Ndërsa, në nenin 25, pika 18 përcaktohet se “Rektori miraton listat e studentëve të regjistruar në të gjitha ciklet e studimeve, përveç ciklit të parë me kohë të plotë, dhe transferimet e tyre në të gjitha ciklet e studimit”. Neni 49, pika 1.2 përcakton se: Brenda muajit mars të çdo viti, Senati Akademik i UT finalizon propozimin e tij për kuotat e pranimit në secilin fakultet. Brenda muajit janar të çdo viti, secili Fakultet i UT, formulon propozimin paraprak për kuotat e pranimit të studimeve për vitin akademik pasardhës”, thuhet në njoftimin e FEUT. Më tej në dokumentin e bërë publik nga ky fakultet, sqarohet se përcaktime nga Statuti aktual i UT i miratuar nga Senati Akademik Neni 14, pika d dhe dh përcakton se: Departamenti çdo vit akademik, propozon numrin e studentëve për çdo program studimi në përputhje me kapacitetet akademike dhe infrastrukturore të tij, sipas standardeve shtetërore të cilësisë. Departamenti përzgjedh studentët fitues, për programet e studimit që ofron, të cilët miratohen nga Dekani, sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren e programit të studimit përkatës, pjesë përbërëse e së cilës ai është. “Neni 34, pika Dh përcakton se: “Rektori nënshkruan diplomat për të gjitha ciklet e studimeve që afron Universiteti i Tiranës, pa të drejtë delegimi.” Neni 47, pika Dh e E përcakton se: Dekani miraton kriteret e pranimit të studentëve, sipas propozimeve të departamenteve për të gjitha programet e studimit dhe miraton studentët fitues të përzgjedhur nga njësitë bazë dhe i publikon ato. Neni 47, pika Ë përcakton se: Dekani nënshkruan diplomat dhe suplementet e tyre për të gjitha ciklet e studimeve që afron fakulteti, pa të drejtë delegimi”, thuhet në dokument.
Peticioni
Sikurse u tha dhe në krye, studentët kanë hartuar një peticion me 150 firma për 315 diploma që janë bllokuar. “Dje morëm vesh se Rektorati ka kthyer diplomat. Ka studentë këtu me kredi dhe me halle dhe duan vetëm diplomat. Të pajisen me diploma para se t’i drejtohemi Gjykatës”, tha një prej studentëve.