Pavioni i Covid-19 në shërbimin infektiv të pediatrisë që nga fillimi i epidemisë nuk është përdoruar asnjëherë, pasi fëmijët e prekur nga koronavirusi nuk kanë pasur nevojë për shtrime dhe as forma të rënda të sëmundjes. 12 shtretër janë planifikuar për pacientët e vegjël në këtë shërbim, por dhe skenarë të tjerë nëse do të kemi ndryshim të situatës.
89 fëmijë janë prekur nga koronavirusi gjatë tre muajve të pandemisë, por aktualisht janë të sëmurë aktivë 24. Shefja e shërbimit infektiv të pediatrisë ka thënë për A2 se fëmijët e infektuar janë kryesisht asimtomatike.
“Vetëm 20% kanë qenë me shenja të lehta të sëmundjes, ndërsa pjesa më e madhe kanë qenë pa shenja, por janë zbuluar nga hetimi epidemiologjik, që është bërë në rastet e prindërve që kanë dalë pozitivë. Shenjat e sëmundjes janë si të një infeksioni viral, si gripi, temperaturë e shoqëruar me kollë, djegie fyti dhe në rastet më të avancuara edhe shenja të përfshirjes së aparatit respirator”, shprehet Gjeorgjina Kuli, shefja e shërbimit infektiv të pediatrisë.
Fëmijët e prekur janë të moshave të ndryshme, mbi 1 vjeç deri 14 vjeç. Mjekja Gjerogjina Kuli thotë se deri tani nuk ka pasur raste të riaktivizimit të koronavirusit te fëmijët e shëruar. Për pacientët e vegjël shefja e pediatrisë nuk rekomandon përdorimin e ilaçeve.









































