Në përditësimin e të dhënave të 24 orëve të fundit Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë identifikuar 50 raste të reja me koronavirus dhe ngriti alarmin për rritjen e numrit të pacientëve të shtruar në spital.
“Lajmi i mirë është se 24 orët e fundit janë shëruar 28 qytetarë, duke e çuar në 1114 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në 24 orët e fundit ka rritje të të shtruarve në spitalin infektiv. Aktualisht po marrin shërbim 64 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar.
Në vendin tonë janë aktualisht 682 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve: Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur, bizneset dhe institucionet të respektojnë protokollet e përcaktuara.
Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.
Ministria e Shëndetësisë po bashkëpunon ngushtësisht me Policinë e Shtetit për të mos lejuar asnjë person pozitiv që të thyejë rregullin duke dalë nga karantina, deri në shërimin e plotë.
Qytetarët duhet të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.
Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim.
Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19.










































