Google search engine
Home Sociale 66 persona të infektuar me Covid-19 dhe 3 viktima brenda 24 orëve,...

66 persona të infektuar me Covid-19 dhe 3 viktima brenda 24 orëve, Kuvendi miraton aktet normative për forcimin e masave

0
419

Vazhdon të rëndohet bilanci i të infektuarve me koronavirus në vend. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë për bilancin e 24 orëve, tregohet se nga 280 testime të kryera, 66 qytetarë kanë rezultuar pozitivë. MSH bëri me dije se numri më i lartë i të infektuarve regjistrohet në Tiranë, e ndjekur nga Kruja me 12 raste. “Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 280 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19 nga të cilat janë konfirmuar 66 raste pozitive, kryesisht kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive, si dhe raste të reja në proces hetimi. Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë është si vijon: 32 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 7 në Vlorë, 6 në Durrës, nga 3 raste në Shkodër dhe Fier, nga 1 rast përkatësisht në Tropojë, Lezhë, Elbasan. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 9 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1086”, njoftoi MSH. Sakaq MSH raportoi se ka humbur jetën një 67-vjeçar nga Shkodra , i cili ishte prej disa ditën në gjendje të rënduar shëndetësore. Ndërkohë pasditen e djeshme humbën jetën edhe dy pacientë të tjerë, një 67-vjeçar nga Tirana i prekur nga COVID-19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese . Gjithashtu humbi betejën me virusin një 73-vjeçare nga Shkodra, e cila vuante nga hipertensioni, e shtruar prej disa ditësh në terapi intensive në gjendje të rëndë, duke çuar në 42 numrin e të vdekurve nga koronavirusi në vend. Sipas MSH në bilancin e ditës së djeshme rezultojnë të shtruar në spital 55 pacientë, ku dy prej tyre në gjendje të rëndë. “Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë një pacient 67 vjeç nga Shkodra i konfirmuar pozitiv me Covid-19, i cili vuante nga Insuficienca kardiake dhe disa sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Pas disa ditëve në terapi intensive, i intubuar, 67 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 55 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë të intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 663 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë”, raportoi MSH.

Ja ndryshimet në aktin normativ

Nga ana tjetër, në kuadër të frenimit të virusit dhe të përballimit të pasojave që ai lë pas, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, prezantoi dje në Kuvend dy ndryshimet e bëra në aktin normativ për këtë çështje. Qeveria ka vendosur të përforcojë rregullat e protokollit që duhet të zbatojnë qytetarët dhe bizneset, ndërsa ndryshimi i dytë lidhet me të papunët. Ministrja garanton përmes këtij akti se qeveria do vazhdojë të jetë në mbështetje të tyre dhe do të gjobisë pronarët që nuk aplikuan. Nga ky vendim përjashtohen ata që i trajtuan me pagesë të plotë punonjësit e tyre gjatë pandemisë. “Janë dy momente që vijnë për ndryshimet në aktin normativ. E para, për vendosjen e protokolleve të rrepta ku një prej nismave që vendoset sot me aktin normativ është pikërisht vendosja e distancës së sigurisë në studio televizive, në fakt vjen në kuadër të të gjithë masave që kemi marrë në protokollet e sigurisë në të gjitha ato aktivitete që konsiderohen të rriskuara dhe e dyta, sa i përket përpjekjes sonë për të mbështetur ata të cilët në këtë pandemi janë më të rriskuar, janë ata qytetarë që kanë humbur në periudhë kohore të përcaktuar punën e tyre dhe ku punëmarrësit nga një neglizhencë apo edhe mos vullnet i tyre nuk kanë aplikuar për ndihmën financiare direkte”, deklaroi ajo. Sakaq Manastirliu thekson se ndryshimet e bëra do të bëjnë që rregullat të zbatohen rreptësisht dhe të kthehen në zakon të përditshëm për qytetarët, për të frenuar kështu përhapjen më tej të koronavirusit. “Ndaj jo vetëm për faktin që shëndetësia është në gatishmëri, jo vetëm për faktin që mjekët, infermierët, i gjithë personeli shëndetësor është duke sakrifikuar dhe punuar 24 orë në 7 ditë për t’u përballur me flukse të shtuara. Ajo që duhet të mendojmë është të mendojmë më shumë për veten tonë, për të afërmit tanë. Sjellja jonë individuale dhe të gjitha këto masa që kemi vendosur protokolle apo rregulla, të mundet që t’i kthejmë në zakone tona të jetës së përditshme, në mënyrë që normaliteti i ri të vijë më lehtë për ne të gjithë që të mos lejojmë që ky virus të bëhet shkak që sistemi ynë shëndetësor të vuajë, pra të kolapsojë në vendet e tjera”, tha ministrja në Kuvend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here